Një person është hequr si aktori i Hollivudit Jason Statham, duke mashtruar një grua britanike për t’i marrë paratë.
“BBC” shkruan se gruaja është një nga qindra mijëra njerëz të cilët janë mashtruar online.
Ky rast vjen në një kohë kur policia ka paralajmëruar se krimet e tilla janë në nivele “epidemike” dhe rreth 1,000 persona kanë denoncuar se kanë rënë viktimë e këtyre mashtrimeve në një muaj.
Detektivët kanë frikë se numri të jetë deri në 10 herë më i lartë, pasi personat që biën viktimë e mashtrimeve të tilla zakonisht nuk denoncojnë.
Gruaja, e cila kërkoi të mos i përmendet emri, tha se ajo ishte bërë shënjestër në një kohë të trishtë për të, pas vdekjes së nënës së saj dhe të fejuarit.
“Unë jam mjaft e fortë, por sigurisht që disa gjëra ndodhin dhe ju e lini veten pa mbrojtje”, tha ajo. Gruaja tha se ishte kontaktuar për herë të parë në internet nga dikush që rezantohej si Statham në një faqe në “Facebook” dedikuar yllit të Fast and Furious.
“Mendova. Oh, kjo është e këndshme nga ana e tij, që flet me fansat.”, tha ajo.
Mashtruesi i tha asaj se e donte dhe në fund i kërkoi ta ndihmonte me disa vështirësi financiare, duke pretenduar se ishte vonuar një pagesë filmash.
Më pas gruaja bëri një seri pagesash për mashtruesin, duke arritur në qindra mijëra paund. Edhe pse ajo nuk pranoi të zbulonte shumën totale, tha se ishin mjaftueshëm para sa për t’i ndryshuar jetën asaj dhe familjes së saj.