Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Jashtëm: Turqia e ka objektiv strategjik anëtarësimin në BE


Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu deklaroi se anëtarësimi në BE mbetet një objektiv strategjik i Turqisë.

Çavusoglu mori pjesë në takimin e katërt të ministrave të Jashtëm të V4+Turqinë, me pjesëmarrjen e vendeve të Grupit të Vishegradit dhe Turqisë në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislavë.

Pas takimit, ai zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajcak, ministrin e Jashtëm çek, Tomas Petricek, ndihmësministrin e Jashtëm polak, Marcin Przydacz dhe ministrin e Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.

Çavusoglu tha se mbledhja ka qenë shumë produktive. Ai theksoi se në bisedime janë vlerësuar interesat e përbashkëta si dhe gjendja në Siri, Libi, Iran dhe Irak përfshirë edhe çështjet rajonale.

Kryediplomati turk gjithashtu në takim ka njoftuar homologët e tij në lidhje me atë se çfarë bën Turqia për zgjidhjen e çështjes së Sirisë, përfshirë çështjet e tërheqjes së SHBA-së nga Siria, gjendja e fundit në Idlib, statusi i Idlibit, situata politike dhe tema të tjera.

Çavusoglu tha se marrëveshja për migrantët mes Turqisë dhe BE-së në këtë drejtim ka qenë efektive.

Sipas ministrit turk, vendi i tij i ka ofruar BE-së kontribute në shumë tema si siguria, ekonomia dhe migrimi, ndërsa para anëtarësimit të Turqisë në BE ka pengesa politike, përcjell Atsh.

“Anëtarësimi në BE mbetet një objektiv strategjik për Turqinë. BE duhet të vendos nëse nuk dëshiron të pranojë Turqinë”, theksoi Çavusoglu.

Turqia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 1987, ndërsa negociatat filluan në vitin 2005, të cilat janë ndërprerë kohë pas kohe.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *