Vendosni fjalën kyçe....

PD i del në krah Agron Tufës: Po e sulmon Rama


   

Partia Demokratike ka denoncuar sulmet që sipas kësaj force politike, po bëhen ndaj Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe drejtuesit, Agron Tufa. Përmes një njoftimi zyrtar për mediat, PD thekson se  procesi i dekomunistizimit nuk duhet të ndalet nga përpjekjet e Edi Ramës.

Sipas PD-së, ky institut është i vetmi i pavarur dhe që po punon për të zbuluar të vërtetën e krimieve të komunizmit.

 ” Partia Demokratike denoncon veprimet e Edi Ramës me sulmet ndaj Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ndaj Bordit të Institutit, si dhe ndaj drejtorit ekzekutiv Agron Tufa për shkakun e vetëm, se ky institucion i pavarur po punon për të zbuluar të vërtetën e krimeve të komunizmit.​

Linçimi publik, fyerjet raciste qe bien ndesh me kushtetutën, kundër drejtuesve të këtij institucioni të pavarur nga bashkëpunëtorë të afërt të Edi Ramës dhe mosdistancimi i tij prej tyre, tregojnë se Edi Rama është organizator i sulmeve.

Në këto 6 vite të drejtimit të Shqipërisë nga Edi Rama, enverizmi ka forcuar pozitat e tij në vend. Këngë, filma, dokumentarë, simbole e xheste publike që glorifikojnë diktatorin komunist Enver Hoxha dhe regjimin e tij çnjerëzor, janë kthyer në normalitet gjatë qeverisjes së Ramës.

Sulmi ndaj këtij Instituti është i frymëzuar nga ish-oficerët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, të cilët kanë marrë drejtimin e Policisë, të Shërbimit Informativ dhe të organeve të reja të drejtesisë.

Rilindja e luftës së klasave kundër profesionistëve si Agron Tufa, që po përpiqen të vendosin një tullë në procesin e dekomunistizimit dhe lustracionit të shoqërisë, është pjesë e luftës primitive politike për të goditur çfarëdolloj kritike e opozicioni në vend.

E kaluara diktatoriale duhet të zbardhet krejtësisht. Dekomunistizimi i shoqërisë është një prioritet absolut në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Ai nuk duhet të ndalet nga përpjekjet e Edi Ramës për t’i imponuar Parlamentit shkrirjen e të vetmit Iinstitut të pavarur për Studimin e Krimeve të Komunizmit. “, thuhet në njoftimin e PD-së.

Javët e fundit,   ka shpërthyer një debat mes Agron Tufës dhe disa personazheve të njohur publikë për çështjen e historisë së Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Deputeti Spartak Braho, ish-deputeti Sabit Brokaj apo ish-ambasadori Fatos Tarifa e akuzojnë Tufën për njollosje të së shkuarës së lavdishme të luftës, ndërsa Tufa i akuzon ata si enveristë.

Për më tepër, Tufa i ka paditur ata në Gjykatën e Tiranës. Tufa ka paditur kontretisht Spartak Brahon, Sabit Brokajn, Shaqir Vukajn, Arben Dukën, Fatos Tarifën dhe gazetën Dita.

“Kjo është bërë për shkak të detyrës dhe dëshirës së një segmenti të trashëgimisë Enveristë, të cilët kërkojnë rikthimin e diktaturës më të pistë të shekullit. Përmes padisë unë kërkoj që drejtësia e shtetit tonë t’i vendosë përpara provave të pakundërshtueshme dhe tu gjej vendin shpifjeve dhe kërcënimeve dhe frymës përçarës rracore mes shoqërisë tonë për rikthimin edhe më të egër të luftës së klasave”, janë fjalët që Tufa tha në një deklaratë për mediat.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *