Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet kush i hoqi gjatë natës germat te Teatri Kombëtar (FOTO)


Mëngjesin e së premtes, godina e Teatrit Kombëtar u gdhi pa shkronjat e saj identifikuese, gjë e cila shkaktoi zemërim te grupi i artistëve aktivistë.

Sot artistët kanë publikuar një foto nga momenti kur germat e Teatrit po shkuleshin nga fasada e ndërtesës, pikërisht nga punonjësit e bashkisë së Tiranës gjatë orëve të darkës.

“Kur drejtuam gishtin e akuzës nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si personin që kishte urdhëruar këtë akt, nuk po spekullonim. Kishim deklarime nga vetë punonjësit e turnit të tretë, që na e kishin thënë me zë: ishin punonjësit e Bashkisë Tiranë që erdhën rreth orës 4.30 të mëngjesit e hoqën gërmat nga fasada.

Tani është me zë e me figurë, skuthi, vemja, armiku i trashëgimisë dhe historisë së Tiranës, Erjon Veliaj!

Turp është pak të thuash për këtë njeri pa skrupuj!”, thuhet në denoncimin e publikuar nga aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Germat e Teatrit Kombëtar janë hequr fshehurazi gjatë natës në një kohë kur protesta e aktivistëve për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar vazhdon.

Qeveria i qëndron vendimit të saj ta prishur këtë godinë, pavarësisht protestave që kanë zgjatur prej më shumë se një viti. Sipas projektit, ndërtesa 100 vjeçare do të shembet për t’u zëvendësuar me një teatër të ri, projekt i arkitektit danez, Bjarke Ingels, i cili përpos ndërtesës së teatrit parashikon edhe ndërtimin e disa kullave përreth tij.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *