Vetëm një ditë pasi u betua si ministri i Tregtisë dhe i Teknologjisë, Marti Kuusik u detyrua të jepte dorëheqjen. Ministri i ri në Estoni, u vu nën hetim nga policia për akuzat për dhunë në familje.
“ERR” shkruan se Kuusik i dha dorëheqjen kryeministrit ditën e martë, me aryetimin se ai po largohej për hir të administratës së re, për të mbrojtur familjen e tij dhe të rikthente reputacionin e dëmtuar. Presidenti Kersti Kaljulaid më pas e liroi Kuusik nga posti.
Bordi i Policisë dhe Gardës Kufitare (PPA) ka filluar një hetim penal për akuzat për dhunë në familje ndaj Kuusik.
‘‘ Ne konfirmojmë se PPA dhe prokuroria filluan këtë të hënë në mbrëmje, në bazë të seksionit të kodit penal lidhur me abuzimin fizik, hetimet për historitë e publikuara në Eesti Ekspress dhe në media të tjera”, tha zëdhënësja e PPA-së, Jelena Filippova.
Eesti Ekspress botoi një pjesë të akuzave ndaj ministrit të ri të hënën, edhe pse ato qarkullonin në media që prej të enjtes së kaluar.
Kuusik i ka mohuar akuzat për dhunë në familje, ashtu sikurse edhe ish-bashkëshortja e tij. Martin Kuusik përfaqëson Partinë Popullore Konservatore të Estonisë, ose EKRE, pjesë e qeverisë së koalicionit prej tre partish, të udhëhequr nga kryeministri Juri Ratas, i cili kryeson Partinë Qendrore.