Ministri i Bujqësisë Bledi Cuçi dhe zv.ministrja Ermira Gjeci, mbrëmjen e kaluar u shfaqën në dy emisione të ndryshme në “Top channel” për të diskutuar për sigurinë ushqimore pas skandalit të përdorimit të hormoneve të rrezikshme në rritjen e shpejtë të fruta-perimeve.
Gjatë diskutimeve, u përmend dhe përdorimi i vajit të palmës, për të cilin ministri Çuçi habiti publikun kur tha se nuk është i dëmshëm për shëndetin, ndryshe nga sa kanë konstatuar ekspertët.
“Përdorimi i vajit të palmës nuk është i paligjshëm. Mund të bësh analizën e bulmetit dhe nëse të del me 30% me vaj palme dhe kur nuk është shënuar, atëherë këtu kemi të bëjmë me shkelje. Atëherë do më kritikosh se përse nuk e kam bërë punën unë si ministër. Vaj palmës nuk është cianur. Vaji i palmës përdoret në Europë dhe nuk të bën keq.”, tha ministri Çuçi në emisionin “Top Talk”.
“Ore pi gjithë ditën vaj palme, e nuk të bën keq. Po të hash një kile gjalpë nga lopët zvicerane, të bën keq, se është yndyrë e rëndë. Të vdes.”, tha Çuçi në munitën 21:25 të videos së mëposhtme.
Por vaji i palmës sipas ekspertëve është i dëmshëm për shëndetin tonë. Sipas një studimi të realizuar nga Universiteti i Barit, Padovës dhe të Pisës, në bashkëpunim me Shoqërinë Italiane të Diabetit, vaji i palmës shkatërron qelizat e pankreasit të cilat prodhojnë insulinë.
Në fakt, vaji i palmës gjendet në shumë produkte që konsumohen kryesisht në mëngjes, sidomos në biskota dhe drithëra të përziera me ëmbëltues. Në studimin e sjellë nga Francesco Giorgino, profesor i Universitetit të Barit, del në pah se vaji i palmës vepron drejtpërdrejt te qelizat beta, duke i shkatërruar ato. Për pasojë insulina nuk prodhohet në sasi të mjaftueshme.
Sigurisht, nëse përdoret rrallë, vaji i palmës nuk përbën ndonjë problem për shëndetin e individit. Por kur ai konsumohet çdo ditë, ose shumë herë në ditë.
Një tjetër deklaratë interesante ishte ajo e zv.ministres Gjeci, ndërsa ishte e ftuar në Top Show. Gjeci tha se nuk është e vërtetë që përdoret allçi për djathin.
“Nëse përdorim allçi në djath, atëherë djathi nuk do të pritej dot. Është ndryshe niseshte dhe ndryshe allçi”, tha zv/ministrja.
Mirëpo kujtojmë se pak ditë më parë, prof. Dr Ilirjan Malollari, ekspert ushqimi për lëndët kimike bëri një deklaratë krejt të ndryshme. Emisioni ‘Top Story’ publikoi denoncimin e disa ekspertëve, mes të cilëve Malollari, që pretendonin se pluhuri i allçisë përdoret për të forcuar produkte të tilla si djathi.
“Analiza instrumentale ka bërë të njohur edhe përqindjen e elementëve që nuk kanë qenë të njohura paraprakisht nga ne. Nuk na ka shkuar mendja që janë përdorur produkte, që janë totalisht të papajtueshme me përbërësit ushqimorë. Pluhura materialesh inorganike, pluhura materialesh inerte. Si ngjyrues janë përdoruar po materiale të tilla, por s’po hyj në detaje”, deklaronte Malollari.
Sipas ekspertëve, ka fakte se nga materialet e riciklueshme që përdoren për paketim, migrojnë elementë kancerogjenë në ushqime. Këtu mund të përmendim mishin e grirë të paketuar, kërpudhat, gjalpin, qumështin, vajin e ullirit, ujin, lëngjet e ndryshme.