Vendosni fjalën kyçe....

Interesat e kredive më të lira në mars, sidomos për kreditë për shtëpi


Nëse doni që të merrni kredi, kjo është periudha më e mirë për të paguar më pak interesa si për monedhën vendase ashtu dhe valutën. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin mars, norma mesatare e ponderuar mujore e huave të reja në lekë të korporatave jofinanciare dhe individëve ishte 6.47% në vit, duke shënuar nivelin më të ulët që nga shtatori 2018. Më e lirë është huaja mbi 5 vjet, me interes vjetor prej 5.86%.

Në euro, interesi mesatar i kredive ishte 4.6% në mars, duke shënuar rritje në krahasim me muajin e mëparshëm, kur ishte 4.16%. Huatë mbi 5 vjet në euro kanë një interes mesatar prej 4.18%.

 

Huaja në euro ka qenë e preferuar për klientët për shkak të interesit më të ulët të saj, por vitet e fundit diferenca mes interesave është ulur dhe nga ana tjetër, klientët janë të ekspozuar kur marrin kredi në euro dhe kanë të ardhurat në lekë, pasi atë që fitojnë nga interesi mund ta humbasin nga luhatjet e kursit të këmbimit dhe konkretisht një zhvlerësim i lekut do të rriste këstet mujore të individëve apo bizneseve.

Interesat e kredive për shtëpi

Huatë për shtëpi janë më të lira se asnjëherë tjetër. Sipas Bankës së Shqipërisë, në mars, norma mesatare mujore e kredisë për blerje banesash ishte 3.45%, nga 3.77% në dhjetor 2018. Kreditë për shtëpi janë të preferuara nga bankat, pasi ka rezultuar që ato kanë një nivel të ulët të kredive të këqija, teksa individët janë të prirur të paguajnë këstet për të mos humbur shtëpitë e lëna si kolateral.

Në euro, interesi mesatar i kredisë për shtëpi në mars ishte 3.04%.

Më të shtrenjtat për individët janë overdraftet, të cilat nuk kanë kolateral dhe u jepen kryesisht individëve që e marrin pagën në bankën përkatëse. Interesat vjetore janë rreth 12% për këtë lloj kredie si në lekë ashtu dhe në euro.

 

 

Sa fitoni nga depozitat

Ndërsa kjo është koha më e mirë për të marrë kredi, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kursimet. Normat e interesit, nëse vendos para në bankë, janë në minimume historike.

Norma mesatare e depozitave me afat (1-60 mujore) në lekë në muajin mars ishte 0.82%, nga 0.86% muajin e mëparshëm dhe 0.99% në janar.

Për kursimet 12 mujore, interesi mesatar në mars ishte vetëm 0.57%, që është kthimi vjetor që merr nga kursimet. Psh, për një depozitë prej 1 milionë lekësh, në fund të vitit merr 5,700 lekë, nga e cila zbriten dhe 15% si tatim nga të ardhurat, pra kthimi neto është 4,845 lekë.

Interesin më të lartë mund ta merrni nga kursimet më afatgjata, ku për depozitat 60 mujore, kthimi është rreth 3.3% në vit.

Për kursimet në euro, fitimi vjetor është afër zeros. Norma mesatare e depozitave me afat (1-60 mujore) në euro në muajin mars ishte 0.12%, nga 0.14% në dhjetor.

Për depozitat 12 mujore, interesi është 0.13%, ndërsa kthimi maksimal mund të merret për depozitat 5 vjeçare, me rreth 1%.

 

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *