Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka deklaruar se kreu i Venezuelës, Nicolas Maduro, po përgatitej të largohej nga vendi për në Kubë, por u ndalua nga Rusia.
“Ne kemi kemi vëzhduar gjatë gjithë ditës, ka kaluar një kohë e gjatë që kur dikush e pa Maduron për herë të fundit,” tha Pompeo, në një intervistë me Wolf Blitzer të CNN.
“Ai kishte një aeroplan në pistë, ai ishte gati të largohej këtë mëngjes dhe siç e kuptojmë ne, rusët i treguan se ai duhet të qëndrojë. Ai u drejtua për në Havanë,” tha Pompeo.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova ka reaguar për deklaratat e Pompeos, duke i konsideruar të rreme.
“Washingtoni u përpoq për të demoralizuar ushtrinë venezueliane dhe tani përdor të pavërtetat, si pjesë e luftës së informacionit.”, tha Zakharova.
Situata në Venezuelë është rënduar ndërsa vendi mund të themi se është futur në luftë civile. Presidenti i vetëshpallur Juan Guaido nisi një protestë në lagjen “bastion”, në Karakas, ku u shfaq i rrethuar nga forca me uniformë. Ai u bëri thirrje ushtrisë dhe policisë që të bashkohen me popullin. Guaido deklaroi se qeveria e ka humbur mbështetjen ushtarake, por Maduro nga ana tjetër thotë se ka folur me gjeneralët, dhe i kanë garantuar mbështetje të plotë.