6 persona janë arrestuar nga policia pasi akuzohem për kontrabandë mallrash.
Ata janë kapur në flagrancë në rrugën Tuneli i Elbasanit-Rrethrrotullimi i TEG-ut me një sasi mallrash kontrabandë, veshje, barna, parfume dhe produkte të tjera.
Të ndaluarit sipas policisë janë subjekte tregtare dhe e ushtrojnë veprimtarinë në Tiranë.
Njoftimi i policisë
“Finalizohet operacioni antikontrabandë “Transportuesi”. Operacion nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në pranga 6 persona. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë , pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe më pas ndjekjes me metoda speciale të hetimit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizuan operacionin e koduar ” Transportuesi”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasve: • M.Sh., 47 vjeç, lindur dhe banues në Shkoder. • D.K., 36 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, • K.Sh., 44 vjeçe, banuese në Durrës. • I.N, 56 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë. • D. M., 55 vjeç, banues në Tiranë. • M.N., 56 vjeçe, banuese në Tiranë. Arrestimi i tyre u bë pasi janë kapur në kushtet e flagrancës në aksin rrugor “Tuneli Elbasanit – Rrethrrotullimi Tegut” , me një sasi mallrash të dyshuara kontrabandë, si veshje dhe produkte të tjera në vlerë të konsiderueshme.
Theksojmë se të gjithë personat e arrestuar janë subjekte tregtare me NIPT dhe ushtrojnë aktivitetin tregtar në qytetin e Tiranës. Në cilësinë e provës materiale në funksion të këtij procedimi u sekuestruan mallra të ndryshme kontrabandë, si veshje të ndryshme për të gjitha moshat , parfume dhe barna mjekësore. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Kontrabandë me mallra të tjera’ në bashkëpunim” dhe ” Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprime doganore“ të parashikuar nga nenet 174/2 dhe 175 të Kodit Penal.”