Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtarisht katër kandidatë në garë për Prokurorin e Përgjithshëm


Dita e enjte ka shënuar mbylljen e aplikimeve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Në garë janë zyrtarisht katër kandidatë: Arta Marku, Olsian Çela, Lulzim Alushaj dhe Fatjona Memmcaj.

Tanimë pritet që 11 anëtarët e KLP-së të bëjnë renditjen në bazë të Kushtetutës dhe kritereve te vendosura ngë vetë KLP.

Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku ishte kandidatja e katërt që hyri në garën për të drejtuar Prokurorinë e Përgjithshme, pas Olsian Çelës, Fatjona Memçajt dhe Lulzim Alushajt. Marku edhe nëse nuk rikonfirmohet si Kryeprokurore, kalon automatikisht gjyqtare në Gjykatën e Apelit siç e përcakton edhe statusi i Prokurorit të Përgjithshëm.

Prokurori në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Olsian Çela ishte i pari që shpalli kandidaturën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ai e ka regjistruar kandidaturën e tij më 19 prill në KLP.

Fatjona Memçaj, prokurore në Prokurorinë e Apelit i është bashkuar më 26 prill garës për Kryeprokurorin e Përkohshëm. Ajo ka kaluar me sukses procesin e Vettingut dhe ka rezultuar në rregull me deklarimet e pasurisë.

Lulzim Alushaj, avokati i Top Channel në disa procese gjyqësore, dorëzoi kandidaturën në KLP në të njëjtën ditë me Memçajn pranë KLP-së.

KLP-ja e ka hapur garën për Kryeprokuror më 19 mars dhe do i dërgojë për miratim Kuvendit tre kandidatura të renditura sipas vlerësimit që kanë marrë.

Prokurori i Përgjithshëm do zgjidhet me tre të pestat e votave. Nëse parlamenti dështon në zgjedhjen e njërit prej tre kandidatëve, brenda 30 ditëve nga marrja e propozimeve, atëherë emërohet automatikisht ai që është i renditur i pari në listë./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *