Bllokimi i rrugëve nga opozita e bashkuar si formë proteste nuk ka kaluar pa tensione të vogla mes protestuesve dhe policisë. Gjithashtu protesta është shoqëruar edhe me djegie gomash dhe hedhje shashkash dhe flakadanësh.
Protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit Rama për gjendjen ku e ka futur qeverinë.
Ndërkohë, Lulzim Basha i cili ndodhet në Elbasan, ka pasur pas vetes qindra mbështetës të cilët kanë bllokuar aksin në pikën e rrethrrotullimit të Bradasheshit.
Ndërsa, Monika Kryemadhi ka zgjedhur të qëndrojë në Durrës, duke bllokuar aksin nga rrethrrotullimi i plepave.
Situata në 12 qarqet paraqitet e qetë dhe pa incidente shqetësuese.
Bllokimi i aksit rrugor në Kakavijë ka shkaktuar protesta në radhën e kalimtarëve. Një qytetare e konsideroi turp atë që po ndodhte në mes të rrugës. “Kush e organizon këtë? Unë të bëj urinën në shkurre? 90 vjeçe? Turp! Vota nuk merret me dhunë”, thotë qytetarja.
Ndërkohë, punonjësit e policisë kanë kërkuar hapjen e rrugës, duke u përfshirë në debate me organizatorët e protestës si Dasho Aliko, kryetar i PD Gjirokastër.
Edhe në Fier situata ka pasur tensione mes protestuesve dhe policisë, ku janë shënuar incidentet e parë, ku protestuesit janë përplasur me policinë në rrugën nacionale te Ura e Mbrostarit.
Bllokimi i rrugës ka sjellë debat mes policisë dhe protestuesve në Shkodër.
Protesta e opozitës po zhvillohet në këto momete edhe në qarkun e Dibrës, ku shumë anëtarë, qytetarë dhe simpatizantë kanë bllokuar rrugët, ndërsa vijojnë të djegin goma mjetesh.