Gjykata e Tiranës ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Arben Xhetanin i cili u arrestua një ditë më parë për vrasjen e ish-policit Arben Bilali në Selitë.
Autori i dyshuar i vrasjes është filmuar nga katër kamera sigurie që ndodhen pranë zonës, ku mbeti i vrarë ish polici Bilali, por ai e mohon lidhjen me pistoletën që u gjet në vendngjarje.
Kujtojmë se Arbën Bilali, një ish-punonjës Policie u ekzekutua në një atentat të organizuar nga 3 persona të maskuar, pranë shtëpisë së tij, në Selitë të Tiranës më 30 janar.
Autorët pas kësaj braktisën mjetin e tyre ne Sauk, në zonën e Mjull bathores brenda së cilës u gjet edhe arma që u përdor. Pavarësisht se e kishin spërkatur mjetin me benzinë, autorët nuk mundën t’i vinin flakën për shkak të frikës se do zbuloheshin nga policia. Ky ishte dhe gabimi i tyre pasi në mjet lanë gjurmë të cilat kanë bërë që grupi hetimor të jetë shumë afër zbulimit të ekzekutuesve, por jo porositësit. Pista kryesore që po ndjek prokurori në hetimin e kësaj çështje është ajo e hakmarrjes. Bilalit më parë i janë vrarë edhe dy vëllezër të tjerë, në të njëjtën zonë ku ai u ekzekutua.