Vendosni fjalën kyçe....

Dhuna ndaj mësuesve në Lundër, Shahini flet për ndryshime në kodin penal por s’thotë asgjë për autorin


Ministria e Arsimit Besa Shahini, ka reaguar një javë pas rrahjes së dy mësueseve në shkollën e Lundrës, rast që u denoncua së pari nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Shahini thotë se qeveria ka nisur ndryshime në kodin penal për dhunën ndaj mësuesve, policëve e mjekëve, që do të votohet në seancën e radhës penale, por nga ana tjetër nuk jep asnjë detaj se çfarë është bërë me dhunuesin.

“Para pak ditësh një prind ka goditur mësuesin e fëmijës së tij. Arsyet nuk janë të rëndësishme sepse nuk ka asnjë arsye që kjo të ndodhë!

Për rastet e dhunës si ky apo ato ndaj mjekëve, policëve dhe kujtdo punonjësi tjetër që mundohet t’i shërbejë qytetarëve me punën e tij, kemi nisur paketën e re të ndryshimeve në kodin penal, e cila do të votohet në seancën plenare të radhës.

Qëllimi është që dënimi të jetë i përshtatshëm dhe të shërbejë si parandalues i akteve pa sens të dhunës!”, shkruan Shahini.

Rasti i dhunës në shkollën e Lundrës, u denoncua së pari nga ish-kryeministri Sali Berisha. Duke iu referuar qytetarit dixhital, Berisha tha se një person i lidhur me Partinë Socialiste ka ushtruar dhunë ndaj drejtoreshës së shkollës 9 vjeçare të fshatit Lundër.

Personi që ka goditur drejtoreshën e shkollës sipas qytetarit është Bardhi Xixi, i cili është aktiv si kontigjent kriminal i PS-së në zgjedhje.

 ‘Rrihet shtazerisht drejtoresha e shkolles nga i forti i PS!

Narkopolicia dhe narkozyrtaret manipulojne ngjarjen!

Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital. sb pershendetje doktor . dje eshte rraf drejtoresha e shkolles 9 vjecare lunder nga bardh xixi qe eshte njoni nga te fortet qe ma PS mrapa sa here qe vijne zgjedhjet .

Asi tv a gazete nuk e ka dhene kte ngjarje plus qe mora vesh qe policia prej nderhyrjes se njerzeve te partise socialiste qe jane ne zonen e lunders po e manipulo ngjarjen me argumentin qe ska deshmitar se nuk merren per baze deshmite e fmive kur me te vertet e ka qellu ne sy te msusve tjere e fmive qe jane terrorizu nga ngjarja”, shkruante Berisha.

Rasti më pas u konfirmua edhe nga drejtoresha e shkollës për Fax News, e cila tha se një prind e ka qëlluar dhe ka shtyrë një mësuese tjetër.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *