Gjenerali amerikan, Tod D.Wolters, është zyrtarisht Komandanti i ri Suprem i Forcave Aleate të Organizatës së Atlantikut të Veriut në Evropë. Wolters dha betimin e devotshmërisë së tij ndaj detyrës në një ceremoni të mbajtur sot në qytetin e Monsit, në Belgjikë.
Në prezantimin e titullarit rishtar, Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, Jens Stoltenberg-u, u shpreh se komanda evropiane është një nga pozicionet më sfiduese dhe më të rëndësishme ushtarake në lëmin e misioneve të NATO-s. Gjenerali Wolters do të shërbejë njëkohësisht edhe si Komandant i Forcave Amerikane për Evropën, duke pasur në këtë pozitë pararendësin e tij bashkëkombas, Curtis Scaparrotti-n.
Detyra e re e përball gjeneralin Wolters me sfida të vështira, për arsye se përkon me cënimin e Traktatit të Forcave Bërthamore (INF), të nënshkruar mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Më herët, Wolters ka vepruar edhe në cilësinë e Komandantit të Forcave Ajrore Amerikane në Evropë në bazën ajrore të Ramstein-it në Gjermani. Kreu i ri Suprem i Forcave Aleate të NATO-s ka një jetëshkrim të pasur me një karrierë ushtarake gati 32-vjeçare.