Një 31-vjeçar shqiptar është zhdukur në Itali. Dorian Liçaj u largua natën e 30 prillit nga Marina di Ragusa, ku ai ishte mysafir te kushërinjtë e tij.
Liçaj ndodhej në Itali që prej janarit dhe kishte shkuar në Marina di Ragusa për disa ditë në kërkim të një pune.
Mediat italiane shkruajnë se natën e 30 prillit, Liçaj u nis me një biçikletë në ngjyrë të kuqe dhe që atëhere nuk dihet më vendodhja e tij. Policia italiane ka publikuar një fotografi me të dhënat e shqiptarit të zhdukur.
Liçaj kishte dokumente shqiptare me vete dhe telefonin celular, i cili del i fikur. Nuk dihet se çfarë veshje kishte në kohën e largimit.
I riu vuante nga ankthi dhe para largimit u kishte lënë të afërmëve të tij një letër me shkrim në të cilën u kërkonte falje për vuajtjet që u shkaktoi dhe shfaqte qëllime për vetëvrasje.
Kërkimet e patrullave të karabinierëve në Ragusa kanë qenë të vazhdueshme dhe tani po koordinohen me forcat e tjera në territor dhe me Mbrojtjen Civile. Gjithkush që e ka parë është i lutur të njoftojë Policinë.