Vendosni fjalën kyçe....

Ilir Meta: Të marrë fund dhuna dhe përpjekjet për të kontrolluar gazetarët


Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, presidenti i Republikës Ilir Meta ka shprehur shqetësimin e tij për lirinë dhe pavarësinë e mediave në vend.

Meta përmend renditjen e Shqipërisë në vendet me liri të pjesshme në raportet e fundit të “Freedom House” dhe “Reporterëve pa Kufij”.

Presidenti u bën thirrje gazetarëve të denoncojnë hapur dhunën, shantazhin e presionet, gjuhën e urrejtjes e frikësimit, por dhe kushtet e papërshtatshme të punës. 

Sipas tij, çdo goditje ndaj institucionit të medias, është sulm ndaj demokracisë.

“Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit e gjen sot Shqipërinë të renditur ndër vendet me liri të pjesshme të medias. Shqetësimet e thella të ngritura në raportet e fundit të “Freedom House” dhe “Reporterëve pa kufij”, për fatin e keq, vijojnë të hasin në vesh të shurdhët. Shtypi ynë sot, edhe sipas këtyre organizatave, është më pak i lirë dhe i pavarur, mediat goditen nga retorika agresive dhe kërcënuese, rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shpeshtuar dhe tentativat për të përdorur fondet publike për të kontrolluar lirinë e shprehjes janë alarmante. 
Kjo situatë duhet të marrë fund! Media e lirë luan rol kyç për të garantuar llogaridhënien dhe mirëqeverisjen. Praktikat e mohimit të së drejtës së gazetarëve për të ndjekur drejtpërdrejt veprimtarinë e autoriteteve publike duhet të ndalen. Sepse çdo goditje ndaj institucionit të medias, është sulm ndaj demokracisë.
Të dashur gazetarë, 
Duke ju uruar këtë ditë, ju ftoj pa humbur kohë të unifikoheni në qëndrime, larg autocensurës, të denonconi hapur dhunën, shantazhin e presionet, gjuhën e urrejtjes e frikësimit, por dhe kushtet e papërshtatshme të punës. 
Ndryshimi është në dorën tuaj dhe fillon nga përhapja e informacionit të vërtetë, pa pritur më që lirinë e shprehjes t’ua servirë politika apo grupet e saj klienteliste.
Të dashur gazetarë që keni vendosur të mos tradhëtoni profesionin e misionin tuaj, jam pranë jush dhe sakrificave që bëni për të mbrojtur dinjitetin tuaj dhe fjalën e lirë!
Ju do triumfoni sepse shqiptarët s’mund të kthehen 30 vite pas për të ndjekur Zërin e Amerikës apo Deutsche Ëelle-n, që të kuptojnë se çfarë ndodh në atdheun e tyre.”, shkruan Meta.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *