Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha mblodhi ditën e sotme një tryezë të përbashkët me pedagogë të universiteteve publike për të adresuar problematikat e arsimit të lartë duke theksuar se kriza është për shkak të keqfinancimit.
“Jemi këtu pas disa muajsh që kanë kulmuar krizën e thellë të institucioneve të arsimit të lartë. E tillë ishte edhe lëvizja studentore e dhjetorit të kaluar. Aspekti i parë i kësaj krize duket qartë te financimi. Buxheti ka arritur në vitin 2019 në 3.29 për qind e PBB-së, në një kohë kur niveli minimal për të garantuar standardet rajonale, duhet të jetë jo më pak se 5 për qind.
Këto para shkojnë në pjesën më të madhe për rikonstruksionin e Ministrisë së Arsimit, për një fasadë me të vërtetë llamburitëse. Ndërkohë, rënia në pikiatë e financimit për arsimin e lartë shoqërohet edhe nga braktisja e studimeve. 133 mijë nxënës e studentë kanë braktisur shkollën në këto 4 vite”- tha Basha.
Basha theksoi më tej planin e tij për të zhvilluar më tej arsimin e lartë në Shqipëri. Qasja europiano-bashkëkohore do të jetë pikërisht ajo që do të bëjë që arsimi shqiptar të udhëhiqet nga një koncept i ri menaxhimi, në financa, teknologji, etj..
“Revolucioni i inteligjencës artificiale, i robotikës, i materialeve të ndryshme në industri ka ardhur dhe është bërë real. Një vend në zemër të Europës nuk e ka luksin ta humbasë këtë mundësi të jashtëzakonshme. Kemi një mundësi të lëmë prapa 5 vite stanjacion dhe prapambetje në vendin tonë.
Është njësoj si mundësia që shfrytëzuam pas futjes së teknologjisë së celularëve. Nevojat e një tregu gjigant europian, me lokomotivë ekonominë gjermane, janë shembuj për t’u ndjekur për të hapur më shumë vende pune, e për më tepër të ndërlidhur në tregun europian të punës”- tha Basha.