Nga Çapajev Gjokutaj
Ukrainasit zgjodhën për president një komedian që s’ka ndonjë përvojë politike, përjashto faktin që herë pas here luan rolin e presidentit në televizion. Gjatë balotazhit kishin dy alternativa: ose të zgjidhnin presidentin e deritanishëm, politikanin Poroshenko, ose komedianin Zelenskyi. Dhe preferuan komedianin pa pikë përvoje në drejtimin e shtetit; paçka se vendi është në krizë dhe disa zona edhe në trazira dhe beteja që herë ndizen e herë shuhen.
Rasti duket ekstrem e alogjik, por Zelenskyi nuk është komediani i vetëm që hyn në politikë. Ka edhe të tjerë që e kanë bërë këtë, madje ashtu si ukrainasi, janë katapultuar në katet e sipërme të shtetit.
Presidenti aktual i Guatemalës James Morales bënte aktorin komik deri në 2015. Edhe Beppe Grillo komedian ishte para se të themelonte partinë ‘Pesë Yjet’, parti që aktualisht ka arritur të jetë më e madhja e parlamentit italian.
Shumë më spektakolar ngjan rasti i islandezit Jon Gnarr, që në zgjedhjet lokale të 2010-ës, pothuajse krejt pa pritur u bë kryebashkiak i Reykjavik-ut. Gnarr bashkë me aktivistë të tjerë kishin krijuar një grup satiriko-politik dhe synonin kryesisht të stigmatizonin politikën vendase, por në fund u çuditën kur panë se kishin fituar kryeqytetin, ku banon një e treta e islandezëve. Gjuha e satirës i kishte prekur njerëzit më shumë se premtimet e politikanëve të zanatit.
Ronald Reagan e Arnold Schwarzenegger nuk ishin komedianë, por aktorë filmash pop, njeri i shquar e tjetri mediokër. Popullariteti që sjell performimi në arte popullore ndihmoi që i pari të zgjidhej dy herë president i njërës prej dy superfuqive në një kohë kritike të ndeshjes lindje – perëndim, kurse i dyti guvernator i Caliphorni-së, njësisë federative që, po të ishte shtet do të renditej si ekonomia e pestë më e madhe e botës.
2.
Nuk është fort e lehtë të gjesh ç’i bën njerëzit që jo njëherë të lenë mënjanë politikanët dhe t’ua japin votat performuesve të kulturës pop dhe sidomos komedianëve. Vështirë të thuash gjera të vërteta dhe të bësh përgjithësime, kur zgjedhje si këto që përmendëm dhe të tjera janë pjellë kontekstesh të veçanta dhe ndonjëherë edhe thjesht rastësi dhe aksidente.
Gjithsesi për hir të humorit por pa bërë shumë humor, disa përgjithësime edhe mund të bëhen. Natyrisht pa dalë nga lëvozhga e hamendjeve.
Në fakt politika është makinë, nuk punon me naftë por me vota. Sa më shumë njerëz ta vlerësojnë e ta pëlqejnë një politikan aq më i votuar është dhe rrjedhimisht edhe më i fortë e më i promovuar.
Parë kështu performuesit e kulturës pop kanë popullaritet dhe pëlqim masiv, d.m.th. përbërësin kryesor apo karburantin për t’u bërë politikanë.
Komedianët, në kuptimin jo thjesht aktorët që luajnë role humoristike të shkruar nga të tjerë, por performuesit komikë që interpretojnë dhe improvizojnë në skenë qëndrimet e tyre për shoqërinë dhe sidomos për politikën, nuk janë vetëm artistë por edhe aktivistë të thekur shoqërorë, një përbërës tjetër ky për t’u pranuar si politikan.
Komedianët e kësaj prerjeje, jo vetëm që janë aktivistë, por kanë edhe një frymë të theksuar antiestablishment, aq e pëlqyer në kohën tonë. Humori që nga kohët që s’mbahen mend ka qenë komplotues i butë kundër autoritetit dhe pushtetit. Jo vetëm kaq, humoristi qoftë në skenë, në kafene a në shtëpi rreth zjarrit shquan për prirjen që të fshehë veten dhe të nxjerrë në pah dukurinë që duhet qeshur a përqeshur. Parë kështu komediani rezonon edhe më shumë me njerëzit e rëndomtë se i shtyn të mendojnë se kanë të bëjnë me një person të thjeshtë, pa rrahje gjoksi e megalomani që aq shumë hasen në rekuizitën e politikanit.
Po të zbrisnim në një rrafsh thjesht teknik, mund të shtonim se komedianët e sotëm dhe më gjerë performuesit e kulturës pop, ata vetë ose stafet e tyre janë të familjarizuar bukur mirë me rrjetet sociale ku kanë miliona ndjekës. Fushata e komedianit Zelenskyi p.sh. u zhvillua kryesisht në rrjete sociale me kosto minimale krahasuar me shifrat stratosferike të politikanëve dhe stafeve të tyre me grykësi prej Gargantuai.
Parë në gjithë këta tregues komedianët ngjajnë si engjëj shpëtimtarë që do të na shpëtonin nga satanët e politikës. Në fakt komedianët prestojnë të shkëlqejnë në fushatë. Problemet e tyre fillojnë përgjithësisht kur vijnë në zyrë dhe jo rrallë u duhet t’i hyjnë detit në këmbë.
3.
Por ndodh dhe e kundërta, kufirin mes politikës dhe komedisë jo rrallë e kapërcejnë edhe politikanët. Nuk është se bëhen komedianë të mirëfilltë ekrani a skene, por t’i sjellin ndër mend, përngjasojnë me ta.
Politikanët kanë një lidhje të brendshme, si të thuash organike me komedianët. Në tregun e votës luajnë rol të konsiderueshëm premtimet. Si rregull politikanët u premtojnë votuesve se, po t’i zgjedhin, do bëjnë këtë dhe atë. Veçse, që nga kohët heroike e këndej…, premtimet janë një gjë dhe realizimet një gjë tjetër. Kontrastet mes premtimeve dhe realizimeve, mes fjalës dhe veprave, mes të thënës dhe të bërës etj. janë pjesë e kontrastit thelb – dukje, që përbën shtyllën kurrizore të komikes.
Prirja për të premtuar me thes e për të realizuar me qese është e lashtë në politikën shqiptare, zë fill bashkë me parlamentarizmin e viteve njëzetë ndaj dhe është huajtur e shqiptarizuar edhe ajo anekdota me beun që u premtonte fshatarëve se në shkëmbim të votës do ndërtonte atë e këtë, madje edhe një urë. Kur një shejtanbudalla i tha ç’na duhet ura, fshati ynë s’ka lumë, beu në dalldinë e retorikës ia priti: edhe lumin do ua sjell.
Sa më e dobët të jetë demokracia, aq më rrak e zhdrak punon mekanizmi premtime – realizime, ndaj në vende me demokraci pjesërisht funksionale si kjo jona politikanët kanë më shumë prirje të marrin trajta komike dhe të shkelin në kufijtë e groteskut.
Veç kontradiktës premtim – realizim, ka edhe një instrument të fuqishëm që e bën politikanin të marrë trajta qesharake në perceptimin e publikut dhe të shfaqet si dukuri e mirëfilltë komike. Fjala është për lajmet politike.
Mbisundojnë në to lajme të tipit ç ‘tha njeri e si ia priti tjetri. Vështirë të dëgjosh lajme për iniciativa ligjore të ndërmarra nga ky apo ai deputet, për amendime ligjesh të interesit publik dhe argumentime pro e kundra. Por dëgjon me thes si njeri shau tjetrin, si filani që nga foltorja hyri nën jorganin e fistekut, si njeri përqesh të metat fizike të tjetrit dhe pastaj vijnë lloj lloj bëmash me vezë, miell, bojë, bilbila e currila fjalësh të ndyra.
Prirja për të raportuar me përparësi dhe tejet shpesh aspekte të tilla të jetës politike bën që politikani të perceptohet nga publiku si komedian. Vetëm me një ndryshim thelbësor. Komediani i komedisë a i ekranit qesh e përqesh, komediani i politikës, i përcjellë kështu, qeshet e përqeshet.
Po të vazhdojë kjo rutinë e përzgjedhjes dhe përpunimit të lajmit politik, një ditë prej ditësh mediat mund të arrijnë t’ia mbushin mendjen publikut se s’kemi politikanë, as komedianë, por klounë. Dhe në ditët tona imazhi mediatik bëhet lehtë sinonim i të vërtetës dhe tiran i opinionit.
4.
E qartë, disa nga politikanët tanë kanë prirjen të bëhen qesharakë e komikë apo, po të perifrazonim lirshëm Nolin, shakaxhinj të përparimit. Por tingëllon disi e çuditshme që deri tani s’kemi asnjë komedian apo qoftë edhe aktor humori që të ketë synuar katet e sipërme të politikës.
Siç është e natyrshme nuk mungon aktivizimi i tyre në politikë. Julian Deda psh militon aktivisht e me nerv për PD-në, Gazmend Paja për PS-në, Bes Kallaku për LSI-në etj. Por kontributet e tyre vijnë kryesisht si aktivizëm shoqëror e politik dhe fare rrallë si performime vetjake skene a ekrani.
Me shumë interes ka qenë shfaqja e një partie satiriko-politike në Prishtinë në vitin 2013. Edhe emri i saj ‘Partia e Fortë’, edhe qasjet e goditura plot humor, ironi e sarkazëm të sillnin ndër mend ‘The Best Party’ të Jon Gnarr-it që, siç e përmendëm, kishte fituar papritur e pakujtuar bashkinë e Reykjavik-ut. Në fakt ‘Partia e Fortë’ në Prishtinë u tret si vesa e mëngjesit, si për të venë në jetë premtimin elektoral të Liderit Legjendar ‘unë do të vdes kur të dojë populli’…
Vështirë të thuash se humoristët tanë nuk bëjnë prokopi nga që jemi popull me mentalitet patriarkal, serioz e hierarkik, ndaj i duam gjërat të ndara: politika politikë, komedia komedi.
Ermal Mamaqi, p.sh., komedian në kuptimin e vërtet të fjalës, madje shumë i talentuar, ka një faqe në FB që pëlqehet nga dy milionë e kusur ndjekës a miq, në një kohë që faqet respektive të Edi Ramës dhe Lulëzim Bashës marrë bashkë nuk e arrijnë dot këtë shifër.
E megjithatë po qe se Ermali do kërkonte vota vështirë se do prokopste gjë. Jo nga që politikanët i duam politikanë d.m.th. të jenë persona seriozë siç i ka hije burrit, por nga që ustallarët kanë ndërtuar një sistem zgjedhor që lejon vetëm dy parti e gjysmë të alternojnë njëra tjetrën në pushtet, kurse të tjerët të mos bëjnë dot çap, seriozë a karagjozë qofshin.