Kryetari i Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Fuat Vjerdha, do të dalë para Komisionit të Vetingut. Një gjyqtar me profil jo shumë publik, emri i Vjerdhës shoqëroi skandalin e lirimit të Sokol Mjacaj, i cili pas daljes nga burgu vrau dy turistë çekë në Dukagjin, në Korrik 2015.
I riu shkodran Mjacaj ishte dënuar nga gjykata e Shkodrës me 10 vjet burgim për “vrasje në rrethana cilësuese”, pasi rezultonte i përfshirë në vdekjen mizore të një 13-vjeçari, ngjarje e ndodhur në vitin 2011.
Mjacaj ankimoi vendimin e dënimit dhe trupa gjykuese e Apelit, në përbërje të të cilës ishte edhe gjyqtari Fuat Vjerdha, e ndryshoi kualifikimin e veprës penale. Vjerdha dhe kolegët e tij e dënuan Sokol Mjacajn vetëm për “sigurimin e kushteve për kryerjen e krimit”, duke ia reduktuar dënimin në 4 vjet burgim.
Pasi përfitoi nga ky vendim, Sokol Mjacaj iu kthye aktivitetit kriminal. Në korrik 2015, Mjacaj vret dy turistët çekë Michael Stavos dhe Anna Kasinova, të cilët gjendeshin në Dukagjin për të shijuar bukurinë e Alpeve shqiptare.
Sipas hetimeve, Mjacaj i kishte prerë rrugën automjetit me të cilin po udhëtonin dy turistët nga Çekia. Ai u është prezantuar si bari dhe i ka kërkuar që ta shoqëronin deri në zonën e banuar.
Dy të dashuruarit çekë pranuan të merrnin në mjet djaloshin shqiptar. Pas pak minutash udhëtim, Sokol Mjacaj ka nxjerrë nga rrobat një automatik, me të cilin ka kërcënuar dy turistët që treguar mirësinë dhe e morën në makinën e tyre.
Sokol Mjacaj u ka kërkuar Michaelit dhe Anës që t’i jepnin të gjithë paratë dhe sendet me vlerë që kishin me vete. Kjo kërkesë duket se nuk është pranuar nga djaloshi çek, i cili e ka kundërshtuar.
Mjacaj e ka qëlluar me automatik, duke e lënë të vdekur në vend, në postin e shoferit të automjetit. Më pas, me gjakftohtësi, ka qëlluar edhe vajzën dhe më tej është larguar nga vendi i ngjarjes.
Sokol Mjacaj u vetëdorëzua pas dy ditësh dhe tashmë është dënuar me burgim të përjetshëm.
Kjo ngjarje e rëndë, e cila detyroi autoritetet më të larta shtetërore shqiptare t’i kërkonin ndjesë homologëve të Çekisë, riktheu në vëmendje skandalin e lirimit nga burgu të Sokol Mjacaj.
Historia kriminale e Sokol Mjacajt nis më 11 shtator të vitit 2010. Së bashku me vëllezërit Edmond e Besnik Kodra, atëherë në moshën 15-vjeçare, merr pjesë në vrasjen barbare të Agim Leraj.
I mituri është keqtrajtuar, është goditur me sende të forta në kokë, në trup e gjymtyrë dhe është mbytur me duar dhe me një zinxhir që e kishte në qafë.
Autorët i kishin kërkuar t’u siguronte një sasi marihuane, por ai kishte refuzuar duke u thënë se nuk kishte mundësi t’ua gjente.
Sokol Mjacaj ia kishte treguar krimin babait të tij, Franit.
Kur ishte pyetur në Polici, e kishte mohuar vrasjen, por më pas kishte treguar vendin ku gjendej trupi i viktimës.
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër e dënoi me 10 vjet burg për veprën penale “të vrasjes së kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim”.
Mjacaj e apelon vendimin.
Më 4 janar të vitit 2013, Gjykata e Apelit të Shkodrës, në përbërje të të cilës ishte edhe Fuat Vjerdha, vendosi ta dënojnë jo për “vrasjen në bashkëpunim”, por “për sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjes”, një vepër për të cilën e dënon me 2 vjet e 6 muaj burg dhe për “moskallëzim të krimit” për të cilën dënohet me 1 vit e 6 muaj burg.
Në total, për akuzat në lidhje me vrasjen e 13-vjeçarit Agim Leraj ai dënohet me katër vjet burg.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Bold News.