Nëpërmjet një deklarate për shtyp nga Partia Demokratike, anëtari i Këshillit Bashkiak për PD-në Mateo Spaho ka bërë bilancin e kryebashkiakut Erion Veliaj të cilin e akuzon si grabitës të pronës publike dhe shpërdorues të taksave të qytetarëve.
Sapho ka renditur disa nga argumentat se si Veliaj në drejtimin e Bashkisë ka shpërdoruar detyrën dhe për interesa klienteliste dhe personale.
Bilanci i Erion Veliajt në Tiranë është grabitje e pronave publike për llogari të klientëve privatë, rritje e taksave dhe shpërdorim i tyre, betonizim i qytetit, pastrimit të parave të pista.
Veliaj paguan në vit 48 milionë USD për gati 7 mijë rrogëtarë, dyfishi i 4 viteve më parë, duke paguar me taksat e qytetarëve armatën e tij elektorale.
Veliaj është kampion i betonizimit. Me mbi 400 leje ndërtimi brenda 1 viti, më shumë se 1 leje ndërtimi në ditë, ka marrë 54 milionë USD.
Veliaj e la në gjendje të mjerueshme infrastrukturën e qytetit. Investoi për qytetin vetëm 14 milionë USD, ndërsa për propagandën 5 milionë USD.
Veliaj është kampion i gjobëvënies së qytetarëve. Raportoi nga gjobat dhe parkimet 8.5 milionë USD në vit, por parkimi është makth.
Postimi i plotë:
Erion Veliaj do të hyjë në historinë e kryeqytetit të tirasnës si kryebashkiaku që e përdori pushtetin e dhënë prej qytetarëve të Tiranës për një qëllim të vetëm: për të grabitur pronën publike, për të shpërdoruar taksat e qytetarëve dhe për të betonizuar Tiranën.
Në funksion të këtij qëllimi Erion Veliaj ndërmori dje një akt mafioz, për të cilin hesht dhe nuk ka dhënë akoma asnjë shpjegim publik. Me më pak se 37 votat që i kërkon ligji i pushtetit lokal, Erion Veliaj vendosi të përfshijë në votim 6 prona të tjera publike, për t’ia grabitur qytetarëve dhe t’ua dhënë ato klientëve të tij privatë.
Deri tani secili nga këto vendime klienteliste mbahet sekret dhe, në mënyrë të paligjshme, nuk I jepen as këshilltarëve socialist, as këshilltarëve të opozitës.
Në funksion të grabitjes dhe propagandës për mbajtjen e pushtetit, Erion Veliaj ka vënë edhe buxhetin e qytetarëve të Tiranës.
Megjithëse, ne, banorët e kryeqytetit jemi qytetarët që paguajnë më shumë taksa se çdo qytetar tjetër i Shqipërisë, investimet në Tiranë për përmirësimin e jetës së përditshme janë minimale.
Vetëm 14 milionë dollarë ka shpenzuar Erion Veliaj për shtrimin e rrugëve, trotuarëve, ndriçimin e lagjeve, për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit dhe për infrastrukturën në tërësi të qytetit, e cila është në një gjendje të mjerueshme.
Po ku shkon pjesa më e madhe e taksave të qytetarëve të Tiranës?
Të dhënat zyrtare të buxhetit të bashkisë tregojnë se 48 milionë dollarë përdoren për rrogat e punonjësve të bashkisë së Tiranës, e cila rezulton të jetë një nga institucionet me administratën më të fryrë. Janë rreth 7 mijë njerëz që punojnë për Erion Veliajn, që do të thotë se, që kur mori pushtetin e ka dyfishuar numrin e rrogatarëve të paguar me taksat e qytetarëve.
Është e qartë se kjo është një armatë elektorale, që mbahet me taksat tona, por nuk punon për përmirësimin e jetës në qytet, sepse ky nuk është prioriteti i Erion Velisë.
Erion Veliaj ka shpenzuar 5 milionë dollarë në vit vetëm për koncerte dhe reklama në funskion të propagandës, ndërsa faktet flasin për mbi 400 leje ndërtimi brenda 1 viti. Kjo do të thotë se erion veliaj ka dhënë më shumë se 1 leje ndërtimi në ditë, duke e shndërruar Tiranën në lavatriçën më të madhe të parave të pista në Ballkan. Vetëm nga lejet e ndërtimit, bashkia ka marrë 54 milionë dollarë, por për qytetin ka shpenzuar vetëm 14 milionë dollarë.
Erion Veliaj është kampion i gjobëvënies së qytetarëve.
Vetëm në 1 vit ka raportuar në buxhet 4 milionë dollarë gjoba, ndërsa nga pagesat e parkimeve 4.5 milionë të tjera. Me 8.5 milionë dollarë, problemi parkimeve në Tiranë duhet të ishte zgjidhur, por, në fakt, ka ndodhur e kundërta. Parkimi në Tiranë është kthyer në një makth.
Kryebashkiaku, që gjeti gati projektin e Bulevardit të Ri dhe të Pazarit të Ri, nuk ka në bilancin e tij një vepër madhore në shërbim të qytetit. Sheshi Skënderbej është vepra e tij e korrupsionit 22 milionë euro, të cilin po e rrethon nga kryeveprat e tjera të korrupsionit dhe pastrimit te parave, kullat e betonit.
Qytetarët e Tiranës nuk e meritojnë një kryebashkiak si Erion Veliaj!