Vendosni fjalën kyçe....

SHBA shënon normën më të ulët të papunësisë që prej 1969


Norma e papunësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka rënë pranë 3.6% gjatë Prillit, që është edhe niveli më i ulët në gjysmë shekulli.
Të dhënat flasin për një rritje të ndjeshme të punësimit të muajit që sapo lamë pas. Sipas Departamentit të Punës bëhet fjalë për 263 mijë vende të reja pune gjatë muajit, bindshëm përtej pritshmërive të tregjeve dhe analistëve.

Kjo ka bërë që norma e papunësisë të zbresë pranë nivelit më të ulët që prej Dhjetorit të vitit 1969. Por, pavarësisht këtyre të dhënave, rritja e pagave nuk është në hapin e duhur, dhe nën pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve. Rënia e ndjeshme e normës së papunësisë vjen edhe falë ritmit më të lartë në 1 vit e gjysmë të largimit të njerëzve nga tregu i punës.

Të dhënat i japin mbështetje kështu Rezervës Federale dhe vendimit më të fundit për të mbajtur të pandryshuara normat e interesit. Fed gjithashtu sinjalizoi se nuk ka ndërmend të ndryshojë së shpejti. Sipas Jerome Powell, ekonomia amerikane është diçka më mirë se sa pritej.
Në Korrik ekonomia amerikane do të shënojë 10 vite në zgjerim, që është edhe seria më e gjatë e regjistruar ndonjëherë. Nga ana tjetër, tregu i punës ka nevojë të krijojë mbi 100 mijë vende pune në muaj që të ruajë ritmin e rritjes ekonomike.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *