Vendosni fjalën kyçe....

FMN kritika qeverisë për projektligjin e Korporatës së Investimeve


Në Shqipëri, misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i kërkoi sot qeverisë të rishikojë projektligjin e propozuar prej saj për krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare, e cila synon krijimin e kushteve të favorshme për të rritur investimet në vend. Fondi u shpreh se projekti krijon risqe ndaj buxhetit dhe se Korporata duhet të jetë objekt i ligjit për “Prokurimin publik”. Fondi Monetar deklaroi sot se rritja ekonomike e Shqipërisë në 2019 pritet të ulet në 3.5 përqind, kryesisht për shkak të uljes së prodhimit të energjisë elektrike, raporton Zëri i Amerikës.

Projektligji i miratuar nga Qeveria pak javë më parë për Korporatën e Investimeve u shoqërua shpejt me polemika. Ndonëse e konceptuar si një mundësi për të administruar më mirë investimet e mëdha përmes dhe mobilizimit të kapitalit privat, disa aspekte të funksionimit të Korporatës e cila do të veprojë si shoqëri tregtare me vete, ngjallën debate, që nga fakti se ajo mund të marrë në pronësi asetet publike, te mënyre e administrimit të tyre, apo mundësia që të marrë kredi si dhe të mos i nënshtrohet rregullave të Prokurimit publik.

Misioni i Fondit Monetar që vizitoi së fundmi Shqipërinë, shprehu sot rezerva ndaj këtij projektligji. “I këshillojmë fuqimisht autoritetet të rishikojnë propozimet e fundit për krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare, për të shmangur risqet ndaj buxhetit dhe ndaj integritetit të kuadrit të administrimit të investimeve publike. Ky projektligj do t’i jepte mundësi qeverisë të udhëzonte vendime individuale për investime, të cilat mund ta shndërronin Korporatën në një instrument shpenzues të mbajtur jashtë buxhetit, çka rrezikon ta ulë disiplinën fiskale dhe t’i anashkalojë proceset e administrimit të investimeve publike. Korpotrata duhet gjithashtu të jetë objekt i Ligjit “Për prokurimin publik”, deklaroi kreu i Misionit të FMN-së, Jan Kees Martijn.

Nga ana e saj ministrja e Financave Anila Denaj deklaroi se Qeveria është në një proces të ngushtë konsultimi me partnerët tanë ndërkombëtarë. “Objektivi kryesor mbetet administrimi me efiçiencë dhe rritja e vlerës së aseteve publike të papërdorura aktualisht, nëpërmjet një procesi me kontributorë partnerë serioz dhe investitorë të huaj. Nuk ka asnjë qëllim tjetërsimi pronash publike. Procesit të konsultimit do t’i jepet gjithë koha e nevojshme për të saktësuar çdo aspekt të këtij ligji”, u shpreh ministrja Denaj.

Ndërsa Qeveria ka parashikuar një rritje ekonomike ne 4.3 përqind për 2019, Fondi monetar vlerëson se rritja do të jetë më e ulët, në 3.5 përqind, si pasojë e situatës metereologjike të pafavorshme që ka sjellë nëj reduktim të prodhimit të energjisë elektrike, e cila ishte kontributorja kryesore në rritjen ekonomike vitin e kaluar.

Ministrja Denaj u shpreh megjithatë optimiste se ecuria e sektorëve të bujqësisë, ndërtimit dhe turizmit pritet të kompensojnë luhatjet në sektorin e energjisë, tha ajo. Nga ana e tij guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, u shpreh se rritja ekonomike mund të cënohet, përvec faktorëve të jashtëm dhe nga situata e brendshme politike, e karaterizuar me tensione të forta që prej muajit shkurt. “Banka e Shqipërisë po monitoron me vëmendje zhvillimet e huaja, duke synuar të identifikojë reagimin e duhur dhe ta ndërmarrë në kohë atë. Po ashtu, ne gjykojmë se çdo përpjekje në funksion të qetësimit të situatës politike do të kontribuonte në ruajtjen e trendit pozitiv të zhvillimeve ekonomike”, theksoi guvernatori Sejko.

Fondi Monetar këmbënguli në nevojën që autoritetet të ulin detyrimet e prapambetura, të përmirësojnë administrimin e borxhit si dhe të përdorin ndryshimet e fundit në ligjin për Partneritetin Pubik Privat “për t’i kufizuar risqet që lindin nga detyrimet e kushtëzuara të lidhura me to dhe për të siguruar administrim më të qëndrueshëm të investimeve publike”. Sipas Fondit Monetar, “propozimet e pakërkuara duhet të ndalohen për të gjitha llojet e Partneriteteve”, ndërkohë që qeveria parashikon kufizimin vetëm në disa raste.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *