Një person me 37 doza heroinë dhe kokainë është kapur në Tiranë.
Në kuadër të një operacioni të koduar “Porosia”, ka përfunduar në pranga një 36 vjeçar me iniciale F.M., lindur në Tiranë, i dënuar më parë.
“Nga informacionet e siguruara në rrugë operative nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, se ky shtetas shpërndante lëndë narkotike të llojit heroinë në zonat e Yzberishtit, Selitës, Astirit dhe Kombinatit, me porosi nëpërmjet telefonit, dhe pas ndjekjes me metoda speciale të hetimit u organizua shërbimi për kapjen në flagrancë të këtij shtetasi”, sqaron policia.
Policia e Tiranës sqaron se mesditën e sotme, në afërsi të rrugës “Tre Dëshmorët” Policia ka kapur në flagrancë shtetasin F. M. i cili lëvizte me biçikletë, ku gjatë kontrollit fizik dhe në banesë policia gjeti dhe sekuestroi 34 doza të dyshuara lëndë narkotike e dyshuar heroinë, 3 doza të dyshuara lëndë narkotike kokainë, si dhe telefonin që përdorte për të siguruar klientelën.
Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.