Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni, zbuloi rezultatet jo zyrtare të votimeve për presidentin e ri, përmes një konference për shtyp. Nga 3 436 vendvotime në të gjithë vendin të përpunuara ose 97,84 për qind të tyre, gjithsej kanë dalë të votojnë 816 649 votues ose në përqindje 46,64 për qind.
Nga këto të dhëna, Gordana Siljanovska ka marrë 363 980 vota, apo 44.57%, ndërsa Stevo Pendarovski ka marrë 423 292 vota, apo 51.83 %.
Kandidatja e opozitës, Gordana Siljanovska, pranoi humbjen në një konferencë për shtyp duke konfirmuar shifrat e dhëna nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Ajo tha se pavarësisht rezultatit, ndihet e përmbushur dhe kokëlartë. Por kush është presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut?
Stevo Pendarovski, i cili ka lindur më 3 prill të vitit 1963 në Shkup është politikan, profesor dhe analist. Pendarovski është docent për siguri ndërkombëtare, politikë të jashtme dhe globalizim, në Fakultetin për Shkenca Politike në Universitetin Amerikan Kolexh-Shkup dhe ish-kandidat për President i Republikës së Maqedonisë.
Pendarovski e nisi karrierën e tij në politikë, fill pas përfundimit të studimeve të larta, ku u emërua udhëheqës i sektorit për analitikë në Ministrinë për Punë të Brendshme. Pas kësaj, për tri vite resht ka patur postin e zëdhënësit të ministrit të Brendshëm.
Nga viti 2001 është emëruar për shef të sigurisë kombëtare dhe këshilltar për politikë të jashtme në kabinetin e presidentit Boris Trajkovski dhe më pas dhe të kabinetit të Branko Cërvenkovskit. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014, Pendarovski ishte kandidat për president nga radhët e LSDM-së, ku u radhit i dyti me gjithsej 398.077 vota të fituara.
Më vonë, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 2016-ës, Pendarovski fitoi mandatin e deputetit në Kuvendin e Maqedonisë. Por ai hoqi dorë nga ky mandat në dhjetor të vitit 2017, pasi u emërua si koordinator kombëtar për përgatitjen e Maqedonisë për anëtarësim në NATO.
Mbrëmë pas shpalljes së rezultateve, Pendarovski u zotua të ishte presidenti nga i cili populli nuk do të turpërohet.
“Do të jem president i të gjithëve, i maqedonasve, shqiptarëve, turqve, serbëve, romëve, vllahëve, boshnjakëve. Do të jem president i shtetit që nuk do të turpëroheni. Do të punojmë për të mirën e vendit, për procesin e integrimit euroatlantik. Misioni im do të jetë uniteti e jo ndarja mes popullit, që krenar të gjithë të ecim para drejt synimit kryesor, zhvillimit të vendit dhe anëtarësimit në strukturat euroatlantike”, ka deklaruar Pendarovski.