Vendosni fjalën kyçe....

Pompeo: Fundi i Maduros është i afërt


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha të dielën se Presidenti venezuealian Nicolas Maduro po sundon vetëm për momentin, pavarësisht nga përpjekja e dështuar e javës së kaluar nga udhëheqësi i opozitës Juan Guaido për të përmbysur regjimin e tij.

Kryediplomati amerikan i tha emisionit “This Week” të ABC News se ditët e Maduros si udhëheqës i Venezuelës, janë të numëruara por nuk dha ndonjë afat.

“Ka një varfëri të jashtëzakonshme, uri të madhe, fëmijë të sëmurë që nuk marrin dot ilaçe. Ky njeri nuk mund të jetë pjesë e të ardhmes së Venezuelës dhe nuk mund ta parashikojë njeri nëse ky ndryshim do të vijë sot, apo nesër apo pas një jave. Misioni ynë është të punojmë me një koalicion të gjerë, që tani ka mbi 50 vende që janë të vendosura të vendosin demokracinë dhe me kalimin e kohës një ekonomi produktive në Venezuelë”, tha ai.

Zoti Guaido, presidenti i përkohshëm i vetëshpallur i Venezuelës udhëhoqi mijëra vetë në rrugët e kryeqytetit, Karacas për dy ditë javën e kaluar, në shenjë proteste ndaj qeverisë socialiste të Maduros, por komandantët ushtarakë nuk iu përgjigjën thirrjes së tij për t’u bashkuar me të për të kërkuar përmbysjen e Maduros.

Udheheqësit e opozitës mbajtën të dielën një memorial për pesë demonstrues që u vranë në përleshje me policinë gjatë protestave.

“Jam shumë e prekur që jam këtu sot duke u falur, sepse ishin të rinj që humbën jetën në rrugë, që dhanë jetën për një ideal dhe ekzekutuesit e të cilëve, fatkeqësisht nuk menduan për ta, por për vdekjen”, thotë Alejandra Carreno, një mësuese nga Karakasi.

Zoti Pompeo e hodhi poshtë sugjerimin se mosrealizimi i marrjes së kontrollit ishte një dështim i zbulimit amerikan. Ai nuk pranoi të përjashtonte mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake në Venezuelë. Por as zoti Pompeo as Presidenti Donald Trump nuk kanë thënë se në ç’rrethana Shtetet e Bashkuara mund të dërgojnë trupa.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov tha se Shtetet e Bashkuara duhet “të heqin dorë nga planet e papërgjegjshme” për të përmbysur Maduron, gjatë një takimi të dielën me homologun venezuelian, Jorge Arreaza në Moskë.

Zoti Pompeo i bëri thirrje Rusisë, si edhe Kubës dhe Iranit, që t’i japin fund mbështetjes për regjimin e Maduros.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *