Vendosni fjalën kyçe....

Shkon në 113 numri i të helmuarve në Bulqizë


7 persona të tjerë janë paraqitur në spitalin e Bulqizës me simptomat e helmimit, duke e çuar numrin e personave të prekur në 113. Fillimisht mëngjesin e sotëm u tha se numri ishte rritur në 100.

Mjeku Ramazan Ceni pranoi se vetëm sot janë paraqitur 6 raste të reja, 2 fëmijë dhe 4 të rritur. Ai u shpreh i bindur se një situatë të tillë e ka shkaktuar uji, edhe pse ende s’ka dalë rezultati përfundimtar i analizave.

“Personat paraqiten me bark dhe të vjella por edhe me dhimbje barku. Helmimi ka ardhur nga uji, fluksi i të prekurve vazhdon”,- thotë ai për BW.

Por disa orë më vonë, prefekti i qarkut të Dibrës Nexhbedin Shehu, pranoi se numri ishte rritur brenda orëve në 113, me 7 pacientë të tjerë që janë paraqitur në spital me simptomat e helmimit.

Përpos dyshimeve se helmimi vjen nga uji, mjeku Shahin Kaja, thotë se mund të vijë edhe nga ndonjë furrë buke, apo ndonjë keqbërës.  Rasti i helmimeve masive u publikua dy ditë më parë, ku dhjetëra persona u paraqitën në spitalin e qytetit që prej mbrëmjes së të enjtes. Personat e shtruar në spital kishin të vjella. Ende nuk dihet shkaku zyrtar i helmimit masiv, pasi ende pritet përgjigjet e analizave laboratorike, por paraprakisht dyshohet se helmimi vjen nga uji.

Ditën e djeshme, ish-deputetja e PD-së Dhurata Çupi, në një reagim për ngjarjen, paralajmëroi se situata po shkonte drejt përkeqësimit. Ajo kërkoi nga autoritetet nisjen sa më të shpejtë të hetimeve dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *