Rritet sërish numri i personave të helmuar në Bulqisë. Sipas “News 24” numri i të helmuarve ka shkuar në 113, me 7 pacientë të shtuar vetëm brenda pak orësh gjatë paradites së sotme.
Mjeku Ramazan Ceni është i bindur se një situatë të tillë e ka shkaktuar uji, edhe pse ende s’ka dalë rezultati përfundimtar i analizave. “Personat paraqiten me bark dhe të vjella por edhe me dhimbje barku. Helmimi ka ardhur nga uji, fluksi i të prekurve vazhdon”,- thotë ai për BW.
Prefekti i Dibrës Nexhbedin Shehu tha se analizat laboratorike nuk kanë nxjerrë ujin si shkaktar të infeksionit, i cili ende nuk dihet se nga vjen.
“Përgjigjet që priten sot nga laborati i Shëndetit Publik në Peshkopi, për 5 kampione që janë marrë në pika të ndryshme të qytetit kanë dalë negative. Pra nuk kemi një rast të justifikuar që të thotë se uji është i infektuar”. – tha Shehu për “FaxNews”. Megjithatë ai bëri thirrje që banorët mos të përdorin ujë nga çezma për të pirë, derisa të dalin përgjigjet përfundimtare të analizave.
Një tjetër mjek, Shahin Kaja, hedh dyshime se helmimi i 100 njerëzve mund të ketë ardhur edhe nga ndonjë furrë buke, apo ndonjë keqbërës. Rasti i helmimeve masive u publikua dy ditë më parë, ku dhjetëra persona u paraqitën në spitalin e qytetit që prej mbrëmjes së të enjtes. Personat e shtruar në spital kishin të vjella. Ende nuk dihet shkaku zyrtar i helmimit masiv, pasi ende pritet përgjigjet e analizave laboratorike, por paraprakisht dyshohet se helmimi vjen nga uji.
Ditën e djeshme, ish-deputetja e PD-së Dhurata Çupi, në një reagim për ngjarjen, paralajmëroi se situata po shkonte drejt përkeqësimit. Ajo kërkoi nga autoritetet nisjen sa më të shpejtë të hetimeve dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve.