Nga Klodian Tomorri
Mesazhi kryesor ishte se sistemi tatimor ka humbur integritetin dhe është bërë i pabarabartë duke privilegjuar sektorë apo interesa të caktuara. Kjo e ka bërë fushën e lojës të pabarabartë mes bizneseve duke dëmtuar konkurrencën e ndershme dhe shpërndarjen optimale të burimeve në ekonomi.
Janë uljet e taksave, të cilat miratohen si lehtësime për të nxitur sektorë të caktuar dhe ekonominë, por që në fakt përfundojnë në favore të mirëfillta për një grusht njerëzish, ata më të pasurit.
Tani këto përjashtime së bashku me një sërë masash të tjera, e kanë bërë sistemin e taksave më kompleks, më të pandershëm dhe gërryejnë të ardhurat tatimore.
Mesazhi i dytë ka lidhje me të parin. Për shkak të përjashtimeve tatimore, që gërryejnë të ardhurat, qeveria po krijon borxh të fshehur. Nuk e tha shifrën me zë, por e nxori tek tabelat e deklaratës zyrtare. Borxhet e prapambetura kanë arritur 300 milionë dollarë, duke përfshirë edhe ato të bashkive.
Të gjithë e mbajnë mend se sa shtrenjtë i paguam borxhet e fshehta në 2013-en. Qeveria mori 1 miliardë dollarë borxh me pretendimin për të shlyer borxhet që la qeveria parardhëse. Tani në vetëm dy vjet, ka akumuluar 250 milionë dollarë borxhe të fshehura, të cilat së bashku me 50 milionë të tjera që kanë bashkitë, (këto të trashëguara nga para 2015-ës) e kanë çuar shifrën e detyrimeve të prapambetura në 300 milionë dollarë.
Kjo është sa 9 për qind e të ardhurave buxhetore që mbledh qeveria, ose sa deficiti vjetor i buxhetit.