Që nga viti 2015 deri në fund të 2018-ës bankat kanë fshirë nga bilancet 46 për qind të kredive të këqija ose 55 miliardë lekë (440 milionë euro).
Banka e Shqipërisë raportoi se, gjashtëmujorit të dytë të vitit 2018 kredia me probleme ra me gati 17% në nivelin 64 miliardë lekë. Si rezultat, raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 11.1% të stokut të kredisë, duke qenë rreth 2.2 pikë përqindjeje më i ulët se në fund të gjysmës së parë të vitit.
Sipas kontributit, në rënien e kredive me probleme kanë ndikuar shlyerjet (për gati 17.6 miliardë lekë), fshirjet e kredive të humbura (për gati 4.5 miliardë lekë) dhe ristrukturimet. Që prej fillimit të vitit 2015, vlerësohet se bankat kanë larguar nga bilancet e tyre gati 55.5 miliardë lekë kredi të humbura.
Në fund të vitit 2018, kreditë me probleme zbritën në 11.08% të totalit, duke u ulur ndjeshëm në krahasim me rekordin e 25% që arritën në shtator 2014. Në vlerë absolute, kreditë që kanë më shumë se 3 muaj që nuk kthehen në banka ishin 59 miliardë lekë fund të 2018-s. Pa fshirjen, niveli i tyre do ishte 114 miliardë lekë, ose 21.4% e stokut total të huasë në dhjetor 2018.
Pakësimi i kredive me probleme është shoqëruar me uljen më të shpejtë të rezervave për rrezikun e kredisë (provigjioneve), gjë që ka sjellë uljen e raportit të mbulimit të tyre me provigjione me rreth 0.8 pikë përqindje, në nivelin 5.6%.
Pavarësisht rënies së raportit të mbulimit me provigjione, mbulimi me kapital i kredive me probleme neto është përmirësuar. Mbulimi me kolateral mbetet gjithashtu në nivele të larta.
Banka e Shqipërisë vëren se megjithë përmirësimin, është e nevojshme që bankat të ruajnë ritmet e uljes së kredive me probleme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ato banka për të cilat niveli i kredive me probleme është mbi mesataren e sektorit. Vlerat e arkëtimeve të kredive me probleme paraqiten në nivele të mira, duke evidentuar përpjekjet e bankave për arkëtimin e tyre dhe duke forcuar qëndrueshmërinë e prirjes rënëse të kredive me probleme.
Mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe normat më të ulëta të interesit kanë ndikuar në përmirësimin e aftësisë paguese të huamarrësve. Banka e Shqipërisë vë në dukje se dy vitet e fundit flukset nga klasat performuese, drejt atyre joperformuese, kanë qenë relativisht të qëndrueshme. Kjo ecuri evidenton nevojën për ruajtjen e kujdesit në procesin e dhënies dhe monitorimit të kredisë.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al