Vendosni fjalën kyçe....

Mynyr Koni kthehet në detyrë: Meta qëndrim prej shtetari, ndryshe nga Shahini e gjeti kohën


Pas vendimit të presidentit të Republikës Ilir Meta, për të rikthyer Mynyr Konin në postin e rektorit të Universitetit të Tiranës, ky i fundit e ka vlerësuar maksimalisht dekretin e kreut të shtetit.

Koni thotë se ndryshe nga ministrja Shahini, presidenti e gjeti kohën për ta pritur dhe dëgjuar atë. Tre javë pas pezullimit, Koni është rikthyer në detyrë.

“Unë kam qenë i pezulluar për tre javë dhe sot pas dekretit të presidentit të Republikës unë vazhdoj përsëri të ushtroj kopetencat e Rektorit të Tiranës.

Dekretin e presidentin Ilir Meta si dhe relacionin shpjegues të tij, e vlerësoj në mënyrën maksimale me qëndrim shtetari me përmasat e një politikani që mbrojti dhe siguroi autonominë institucionale dhe garantoi lirinë akademike, të drejta të fituara nga ana kushtetuese.

Garantoj presidentin dhe gjithë strukturat e Universitetit që do punoj me përkushtueshmëri në zbatim të ligjit për Universitetin e Tiranës.

Është minimale, ministrja nuk gjeti kohën dhe hapësirën për të më pritur dhe takuar në lidhje me shkeljet e pretenduara nga ana e saj. Presidenti e gjeti kohën, më dëgjoi dhe vlerësoi dhe i paraqita dhe informacionet e tjera për të shpjeguar pretendimet e zonjës ministre.

Nga analiza shteruese që ka bërë presidenti i Republikës, kjo është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në veprimtarinë e një institucioni, të rektoratit të Tiranës dhe Universitetit të Tiranës.”, tha Koni, për kamerën e “Ora News”.

Mes të tjerash, Koni tha se pavarësisht vendimit të Shahinit për ta pezulluar, ai do bashkëpunojë me të.

“Marr përsipër që në çdo moment të jem i gatshëm për të bashkëpunuar, për ta çuar më tutje, për ta thelluar Reformën e Arsimit të Lartë.”, thotë Koni.

Presidenti Meta, rrëzoi dje vendimin e Shahinit për pezullimin e Konit nga detyra. Sipas kreut të shtetit, vendimi i marrë nga ministrja Shahini ka pasur një sërë shkeljesh të cilat i ka renditur në argumentimin e publikuar në dekretin e firmosur prej tij.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *