Një 49-vjeçar nga Librazhdi ka rënë në prangat e policisë, pas operacionit të koduar “Premtimi”. Sipas policisë, 49-vjeçari i premtonte një gruaje marrjen e provimit të licensës në mësuesi si dhe të drejtë studimi jashtë shtetit për djalin, duke e mashtruar.
I arrestuari me inicialet B.A., dyshohet gjithashtu se i kishte marrë zonjës në fjalë edhe 10 mijë euro.
Detajet e policisë:
Finalizohet operacioni “Premtimi”
I premtonte për marrjen e provimit të licensës në mësuesi si dhe për të drejtë studimi jashtë shtetit për djalin, duke e mashtruar për përfitim të vlerave monetare, por arrestohet nga Policia.
Procedohen edhe 2 shtetas të tjerë për korrupsion aktiv dhe pasiv
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik – Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi”, bënë kapjen dhe arrestimin e shtetasit:
– B.A. 49 vjeç, banues në Librazhd, për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe ”Mashtrimi”, i dënuar dhe më parë për të njëjtat vepra penale.
Ky shtetas, në muajin Janar 2018, dyshohet se i ka marrë nëpërmjet mashtrimit shtetases B.P., shumën prej 6000 euro për të marrë provimin e Licensës së mësuesisë, si dhe shumën 4000 euro për të marrë një të drejtë studimi jashtë shtetit për djalin e saj. Si edhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek shtetasi E.S., punonjës në fushën e arsimit.
Gjithashtu, u proçeduan në gjendje të lirë shtetasit:
– B.P. për veprën penale ” Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”
– E.S. për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.