Kush do të kalojë sot nga autostrada Tiranë-Durrës duhet të ketë kujdes. Kjo sepse Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se do të nisë punimet në këtë aks rrugor, në segmentin: ish Dogana-Qafë Kashar-Vorë.
ARRSH thotë se qarkullimi i mjeteve në pjesën ku do të kryhen punime, do të jetë me shpejtësi të reduktuar dhe se lëvizja e mjeteve do të drejtohet në 1 korsi (Punimet kryhen vetëm gjatë njërit drejtim të rrugës).
DETAJET E ARRSH-së
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informojnë se, duke nisur nga dita e Mërkurë datë 8 Maj 2019 ora 08:00 në mëngjes deri në datë 17.07.2019, në kuadër të projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore Bazuar në Rezultate”, financim i Qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, do të realizohen punime në rrugë si më poshtë vijon:
– Rehabilitim i sistemit te ndriçimit në Autostradën Tiranë-Durrës, nga Km 0+000 deri në Km 14+750, Segmenti rrugor: ish Dogana-Qafë Kashar-Vorë.
Qarkullimi i mjeteve në pjesën ku do të kryhen punimet do të jetë me shpejtësi të reduktuar, lëvizja e mjeteve do të drejtohet në 1 korsi (Punimet kryhen vetëm gjatë njërit drejtim të rrugës) dhe do të realizohet në përputhje me sinjalistikën e vendosur sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar.
Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe kompanisë së mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar.
ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve dhe bizneseve te zonës gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë segment rrugor, respektimin në mënyrë rigoroze të sinjalistikës provizore të vendosur, rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore në terren.