Kompania Telekom Albania ka nga sot drejtuesit e rinj pas kalimit të pronësisë nga grupi OTE (Pjesë e Grupit Deutsche Telekom) tek grupi ATI (Albania Telecom Invest).
Telekom Albania do të drejtohet nga z.Spass Rouseev, që është aksioneri kryesor i VIVACOM, operatorit më të madh të pavarur të telekomunikacionit në Europën juglindore dhe nga z. Elvin Guri,, investitor shqiptaro-bullgar.
“Ne vlerësojmë dhe çmojmë atë çfarë Telekom Albania ka arritur ndër vite, duke i paraprirë zhvillimit të telefonisë së lëvizshme dhe teknologjisë në vend. Ndërkohë, ne jemi të vendosur të bëjmë investime të konsiderueshme, në mënyrë që Telekom Albania të bëhet operatori kryesor në Shqipëri dhe një prej kompanive më të suksesshme të telekomunikacionit në rajon. Telekom Albania do të rrisë më tej angazhimin e saj për të sjellë në tregun shqiptar risi teknologjike të cilat do t’u shërbejnë individëve dhe bizneseve shqiptare”, u shpreh Roussev.
Ndërsa biznesmeni Elvin Guri deklaroi: “Madje çfarë është më e rëndësishme për mua personalisht, ne do të përpiqemi të rrisim në maksimum kontributin ndaj shoqërisë duke e bërë Telekom mjedisin më të mirë të punës në Shqipëri”.
Kompania do të drejtohet nga zoti Emil Georgakiev, në pozicionin e Drejtorit Ekzekutiv të Telekom Albania.
Georgakiev ka përvojë dhe njohuri të gjera në sektorin e telekomunikacionit, duke qenë prej më shumë se dhjetë vitesh pjesë e ekipit drejtues të kompanisë bullgare të telekomunikacionit Vivacom.
“Telekom Albania do të ofrojë produkte dhe shërbime të reja që do t’i plotësojnë më mirë nevojat e klientëve. Ndërkohë, ne do të mbështetemi kryesisht tek ekspertiza dhe aftësitë që zotërojnë punonjësit e kompanisë për të mbyllur me sukses periudhën e ndryshimit, dhe për të arritur objektivin tonë për të qenë operatori më i mirë në treg.” – tha Georgakiev.