Vendosni fjalën kyçe....

Lanë pronarin e hotelit të vidhte energjinë elektrike, arrestohen 4 specialistë të OSHEE-së


Pesë persona janë ndaluar në Lezhë, në kuadër të operacionit të koduar “Task-Group”. Sipas policisë, katër prej tyre janë specialistë të OSHEE-së ndërsa i pesti është pronari i një hoteli.

Dyshohet se ky i fundit është favorizuar të vjedhë energjinë elektrike duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme kompanisë. 4 specialistët e OSHEE-së janë lënë në burg, ndërsa pronari i hotelit me inicialet M.N, është lënë në “arrest shtëpie”.

DETAJET E POLICISË

Specialistët e Seksionit kundër krimit ekonomiko – financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë policore dhe dyshimeve të arsyeshme, se një subjekt privat, hotel në Shëngjin, nuk faturohej për energjinë elektrike të konsumuar, ardhur kjo nga shpërdorimi i detyrës i punonjësve të kompanisë OSHEE, duke i sjellë dëm ekonomik kësaj kompanie, kanë referuar materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë në muajin gusht 2018.

Mbi bazën e këtyre materialeve, Prokuroria ka vijuar hetimet e mëtejshme, duke finalizuar operacionin “Task – Group”. Si rezultat këtij operacioni është ekzekutuar vendimi penal datë 08 Maj 2019, i Gjykatës Shkallës Parë Lezhë, e cila ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës kryer në bashkëpunim”, për shtetasit:

– A. Sh., 34 vjeç, banues në Tiranë, me funksion specialist leximi pranë Drejtorisë Qendrore të OSHEE Tiranë

– B. Sh., 42 vjeç, banues në Tiranë, me funksion specialist leximi pranë Drejtorisë Qendrore të OSHEE Tiranë

– J. D., 27 vjeç, banues në Tiranë, me funksion specialist leximi pranë Drejtorisë Qendrore të OSHEE Tiranë

– G. M., 31 vjeç, banues në Lezhë, me funksion specialist leximi pranë Njësisë Lezhë të Drejtorisë Rajonale të OSHEE Shkodër.

Gjithashtu, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve elektrike” ndaj shtetasit M. N., 64 vjeç, banues në Lezhë, pronar i një subjekti privat, Hotel në Shëngjin.

Punonjësit e kompanisë OSHEE, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë lejuar vjedhjen e energjisë elektrike nga subjekti privat hotel, në pronësi të shtetasit M. N., duke mos e faturuar për energjinë e konsumuar, rast i cili ka sjell dëm ekonomik për kompaninë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *