Ambasada e SHBA-së në Tiranë, ka reaguar lidhur me protestën e nesërme të opozitës. Përmes një njoftimi, kjo ambasadë iu bën thirrje pjesmarrësve në protestë që të shmangin aktet e dhunës.
“E drejta për t’u përfshirë në protesta paqësore është një e drejtë themelore demokratike. Përgjatë muajve të fundit, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve kanë ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht. Megjithatë, në çastin kur një protestë paqësore njolloset nga një akt dhune, qoftë edhe nga një individ, qëllimi demokratik i protestës kompromentohet.
Është e paligjshme dhe jo demokratike të kryesh akte dhune, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës. Iu bëjmë thirrje të gjithë personave të përfshirë në protestën e së shtunës që të refuzojnë dhunën për të siguruar një protestë paqësore dhe konstruktive.”, thuhet në njoftim.
Kjo nuk është hera e parë që Ambasada Amerikane bën deklarata, një ditë para protestave, duke paralajmëruar opozitën. Edhe në protestat e mëparshme, Ambasada Amerikane ashtu sikurse dhe Delegacioni i Bashkimit Europian , paralajmëronin opozitën se dhuna gjatë manifestimeve është “e paligjshme dhe e patolerueshme”.
Madje para protestës së 16 marsit, u rreshtua hapur pro qeverisë dhe kundër opozitës lidhur me mandatet e djegura.
“Ndërkohë që, ata ish anëtarë të Parlamentit të cilët vendosën të braktisin mandatet, hoqën dorë nga detyrimet e tyre ndaj qytetarëve shqiptarë, duhet të lejojnë ata që duan të punojnë për të ardhmen e vendit të bëjnë punën e tyre. Ne mbështesim të gjithë ata që vazhdojnë të jenë të përfshirë në procesin demokratik në Parlament, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë të ecë përpara, drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.”, thuhej në njoftimin e konsullatës.