Qeveria ka nxjerrë dy VKM ditën e sotme të cilat lidhen me zgjedhjet vendore të 30 Qershorit.
Me qëllim mbarëvajtjen e zgjedhjeve, qeveria bllokoi procedurat e prokurimit për bashkitë si edhe bllokimin e përdorimit të administratës për qëllime elektorale.
Deklarata e plotë:
Me një VKM të posaçme, nga dita e sotme pezullohen të gjithë procedurat e prokurimit nga njësitë e qeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre.
Ditën e sotme, qeveria e Shqipërisë miratoi dy vendime shumë të rëndësishme, që lidhen direkt me mbarëvajtjen dhe transparencën e zgjedhjeve lokale të datës 30 qershor. Së pari, me një VKM të posaçme, nga dita e sotme pezullohen të gjithë procedurat e prokurimit nga njësitë e qeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre.
Një vendim i tillë merret për të eliminuar çdo mundësi apo alibi të keqpërdorimit të pushtetit në muajt e fundit të detyrës për kryebashkiakët në ikje. Pezullimi do të mbetet në fuqi deri në momentin e dorëzimit të detyrës tek kryebashkiakët e rinj.
Vendimi i dytë adreson një tjetër shqetësim, duke penguar rreptësisht përdorimin për çfarë do lloj arsye apo në çfarë do lloj forme të administratës për qëllime elektorale. Ky vendim nxit paanshmërinë dhe trajtimin e barabartë të kandidatëve në marrëdhëniet me administratën publike dhe burimet e saj.
Këto masa kanë një qëllim të vetëm, që këto zgjedhje të jenë më të mirat në historinë e demokracisë shqiptare, duke ofruar një transparencë të plotë dhe standartet europiane që do t’i hapin rrugën e negociatave të anëtarësimit vendit tonë.