Në një qark kohor prej 3 ditësh, tre grabitje të dhunshme kanë ndodhur në banesat e shqiptarëve. Rasti më i fundit, është ai i grabitjes së një mjeku në qytetin e Librazhdit. Në asnjërin prej rasteve, policia nuk ka arritur të vërë një autor të vetëm në pranga.
Grabitja e biznesmenit në Korçë
Të paktën tre persona të armatosur dhe të maskuar, kanë hyrë në mesnatë në banesën e çiftit Novruz dhe Sadete Vila.
Personat e armatosur i kanë lidhur biznesmenin dhe gruan e tij Sadete dhe i kanë marrë një shumë parash prej 1.6 milionë lekësh të vjetra. Por detaji i pazakontë në këtë grabitje, ishte se grabitësin mbanin veshur uniforma policie.
“Tre persona të maskuar u futën brenda në banesë, ishin të veshur me uniformë që lexonte policia dhe të armatosur me automatik. Më goditën mua dhe gruan dhe na lidhën pastaj të dyve. Më pas nisën të kontrollojnë shtëpinë”, tregoi Novruz Vila për mediat.
Ai tha se i morën portofolin brenda të cilit kishte 1.6 mln lekë të vjetra dhe i lanë të lidhur për rreth 30 minuta. Dyshohet se të moshuarit, i kanë hedhur një ilaç në pije, duke i paralizuar kujtesën. 3 grabitësit kanë përfituar nga errësira dhe janë larguar.
“Dy shtetasit ende të paidentifikuar kanë marrë një shumë parash dhe janë larguar pa ushtruar dhunë ndaj të zotit të banesës, i cili tashmë ndodhet në spital për ndihmë mjekësore, si pasojë e pijes së konsumuar. Grupi hetimor ka kryer të gjitha veprimet, duke grumbulluar çdo provë të mundshme që do çonte në identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Njëkohësisht, shtetasit i është marrë mostër gjaku për të përcaktuar nëse ka elemente toksikologjike si pasojë e konsumimit të lëngut.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Grabitja e tregtarit në Peqin
Një tregtar rrobash në qytetin e Peqinit ka rënë pre e grabitjes mesditën e së enjtes.
Mësohet se Skënder Beqiri 75 vjeç, është grabitur nga një çift bashkëshortësh, të cilët i kanë marrë nga banesa rreth 3 milion lekë dhe sende me vlerë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30 në lagjen Çesmë.
Bashkëshortja e Beqirit, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital, ka rrëfyer gjithë ngjarjen duke pretenduar se nga banesa e tyre ishin grabitur rreth 60 mijë euro. Sipas saj, në momentin e grabitjes në shtëpi ka qënë vetëm bashkëshorti.
“Unë erdha në orën 1 se shkoj në treg me rrobat. O Skënder hape pak derën. Ai tha ça dere do ti, mua më kanë vrarë. Kishin prish bravën dhe kishin marrë gjithë lekët, rreth 60 mijë Euro “, thotë bashkëshortja e Skënderit.
Ka qënë një vajzë, ajo që i ka kërkuar që të futej në shtëpi për të përdorur tualetin.
Më pas çifti i bashkëshortëve, e kanë lidhur 75-vjeçarin dhe më pas e kanë dhunuar duke e detyruar që të tregonte se ku i mbante paratë.
Ata e kanë kërcënuar se nëse nuk do të tregonte ku kishte fshehur paratë, do ta vrisnin. Përballë kësaj situate, i moshuari 75 vjeç ka treguar gjithçka.
Pasi kanë marrë paratë dhe sendet me vlerë, grabitësit janë larguar në drejtim të paditur.
Grabitja e mjekut në Librazhd
Grabitet banesa e mjekut në Librazhd, i marrin paratë dhe bizhuteritë
Rasti më i fundit është ai i Librazhdit. Që në orët e para të mëngjesit të sotëm, disa persona ende të paidentifikuar janë futur në një banesë në lagjen Nr.1 të këtij qyteti, ku nën kërcënimin e thikës kanë marrë një sasi lekësh dhe disa bizhuteri.
Banesa në fjalë është në pronësi të mjekut Kujtim Abrahimi. Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka persona të lënduar.
“Gjatë natës në lagjen nr 1 , Librazhd, persona ende te paidentifikuar, dyshohet nën kërcënimin e thikës, kanë marrë në banesën e shtetasit K.A, një sasi lekësh dhe disa bizhuteri. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Dyshohet se shuma e parave të grabitura shkon diku te 10 milionë lekë./Hashtag.al