Lajm i keq për përdoruesit e “WhatsApp”-it. Ky aplikacion nuk do të punojë më pas një periudhë 6-mujore në smartfonët e Windows.
Një zëdhënës i kompanisë së “Facebook”, ku bën pjesë edhe “WhatsApp”, njoftoi se ky aplikacion nuk do të punojë më në celularët e mundësuar nga softueri i Microsoft, në dhjetor të 2019-ës.
Po ashtu, ai paralajmëroi se disa komanda të “WhatsApp” mund të mos punonin në “çdo moment” në këto pajisje, të cilat Microsoft i ndërpreu në vitin 2017, shkruan “Daily Mail”.
“Ju nuk do të jeni në gjendje t’i përdorni të gjitha sistemet operative të “Windows Phone” pas 31 dhjetorit 2019.
Për shkak se ne nuk zhvillojmë më për këto sisteme operative, disa veçori mund të ndalojnë funksionimin në çdo kohë”, shkruhet në një deklaratë.
Deklarata ndjek vendimin e “Microsoft” për t’i dhënë fund mbështetjes për softuerin nga dhjetori i këtij viti, duke i këshilluar njerëzit të blejnë pajisjet iOS ose Android.
“WhatsApp” gjithashtu njoftoi se deri në vitin 2020, do të tërheqin mbështetjen në versionet Android 2.3.7 dhe më të vjetër, ose iOS 7 dhe më të vjetër.
“Me fundin e mbështetjes së Windows 10 Mobile, ne i rekomandojmë klientët të përdorin një pajisje Android ose iOS,” shpjegoi kompania.