Mazhoranca ka vendosur që të shkojë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit pa opozitën dhe për garën ka përcaktuar edhe kandidatët për të 61 bashkitë e vendit.
Në disa bashki Rama dhe Partia Socialiste ka konfirmuar kryebashkiakët aktualë ndërsa në disa të tjera edhe pse qeverisen nga socialistë ka zgjedhur emra të rinj.
Në Durrës, Rama nuk i dha mundësinë Vangjush Dakos i cili akuzohet nga opozita për përfshirjen në dosjen 339 për një mandat të katërt duke kandiduar Valbona Sakon e cila mban postin e drejtorit të Tatimeve në qytetin bregdetar.
Sako njihet për një karrierë të gjatë në profesionin e saj, ndërsa prej gjashtë vitesh mban këtë post.
Në Shijak socialistët kanë vendosur të kandidojnë Elton Arbanën me profesion jurist, një emër i njohur në strukturat e partisë në këtë qytet pasi ka mbajtur edhe poste drejtuese.
Ashtu si në Bashkinë e Durrësit, edhe në Elbasan, Qazim Sejdini nuk do vazhdojë më të drejtojë qytetin dhe është zgjedhur për të garuar Gledjan Llatja i cili mbante edhe postin e prefektit që prej janarit të këtij viti.
Llatja është me profesion jurist dhe ka një karrierë në administratën e lartë publike, ku ka punuar në AKBN, KQZ dhe Ministrinë e Mbrotjen.
Në Bashkinë e Prrenjasit që aktualisht drejtohen nga LSI-ja, është menduar që të garojë deputeti socialist Nuri Belba. Belba është personazh i njohur për Prrenjasin pasi ka mbajtur edhe postin e zv.kryetarit të Bashkisë si edhe poste drejtuese në qarkun Elbasan.
Ashtu si në Elbasan, edhe në Shkodër në garë është vendosur prefekti aktual Valdrin Pjetri. Një emër jo i panjohur pasi ka mbajtur postin e drejtorit të Përgjithshëm të Hipotekave. Valdrin Pjetri është specializuar në fushën e financës dhe menaxhimit.
Për Bashkinë e Lezhës është zgjedhur që të hyjë në garë deputeti Pjerin Ndreu i zgjedhur që prej vitit 2013.
Ndreu ka një karrierë në polici ku ka qenë zv.drejtor i Përgjithshëm si edhe drejtor në Drejtorinë e Tiranës.
Në Kolonjë është menduar nga socialistët një figurë ndryshe, duke futur në garë aktorin Erion Isai. Për aktorin Isai i cili është aktualisht edhe drejtor i Teatrit të Kukullave kjo do jetë eksperienca e parë në garën për një post politik./Hashtag.al