Kryeministri Edi Rama gjatë daljes së tij për publikun pas protestës së opozitës së bashkuar mbrëmjen e djeshme nuk ka lënë pa mbrojtur Kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako i cili akuzohet si i përfshirë në dosjen 339 ku ka përgjime për shit-blerje votash, një arsye kjo për të cilën opozita kërkon rrëzimin e qeverisë.
Rama në deklaratën e tij mbron Dakon dhe thotë se përgjimet e dosjes 339 nuk përbëjnë prova dhe se nuk mund të çohet në gjykatë vetëm me kaseta.
“Cilat përgjime, së pari çdo përgjim nuk përbën asnjë provë, edhe sikur të jetë personi që flet vetë, dhe i thotë ato që kur dëgjohen dhe mund të jenë kriminale. Nuk është provë, nuk e çon dot në gjykatë me kaseta tjetrin duhet hetimi për ta provuar.
Së dyti për këto dy dosjet e famshme, në Dibër u vendos në përgjim partia politike, si grup i strukturuar kriminal. Ok. Dhe nuk ka asgjë, zero. Si përgjim të na thotë se këtu ka një përfshirje të atyre që janë bërë copë copë në fjalime. Nuk ka asgjë. Ju po ti kishte do i kishte nxjerrë dhe kjo është një çështje hetimore. Vijmë te Durrësi, flasin për një kryetar bashkie i cili përmendet në një fjali mes dy kriminelëve dhe vetë nuk ka asnjë bisedë, zero, që të flitet me blerje dhe shitje.
Si mund të jenë arsye për të vijuar një store-i pa fund…?!! Është mungesë faktesh dhe argumentesh prandaj reagova ndaj Zërit të Amerikës, pasi në këndvështrimin tim ka ca standarde që nuk mund ti tejkalojë”-deklaroi Rama.