Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka deklaruar se do padisë penalisht drejtuesit e Policisë së Shtetit lidhur me audiopërgjimin ndaj Agron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Salianji e bëri deklaratën pas daljes nga gjykata ku theksoi se drejtuesit e lartë të policisë janë të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në çështjen e dëshmitarit të rremë, Fredi Alizoti.
“Sot është seanca e parë gjyqësore për cështjen Xhafaj. Qytetarët janë lodhur nga një drejtësi që nuk bën drejtësi por bën padrejtësi dhe është varrmihëse e çështjeve më të rënda. Do bëj kallëzim për drejtuesit e policisë, të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë çështje. Situata është se nuk ka asnjë të arrestuar nga përgjimet, por ka një akuzë qesharake për mua dhe Jetmir Olldashin. Unë nuk kam frikë nga Rama. Edi Rama është një dordolec politik, që nuk trembë sot më as sorrat dhe jo më qytetarët. Frika nuk hyn tek ndjesitë e mia.” – tha Salianji.
Ai ftoi qytetarët që të marrin pjesë në protestën e ditës së sotme para kryeministrisë në orën 18 e 30, duke thënë se ka ardhur koha për ndryshimin e sistemit.
“Sot në orën 6 e gjysmë u bëj thirrje qytetarëve që të bashkohen me ne dhe të ndryshojnë sistemin. Do të denoncoj drejtuesit e policisë, duan ta zhvendosin vëmendjen nga situata aktuale.Është thjesht propagandë, se ka precedent që gjyqtarja të jetë tërhequr në një çështje tjetër ku jam unë i kallëzuar.“ -tha Salianji.