Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për “TV Pink” në Serbi, ku ka folur për Samitin në Berlin, deklaratat e Haradinajt se ai i ka bërë presion dhe të tjera çështje.
Ramës iu kërkua të komentonte deklaratata e tij se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj kishte gënjyer, pasi ai nuk i kishte bërë asnjë lloj presioni për heqjen e taksës.
“U etiketova se bëra diçka të keqe – nga të dyja anët. Kjo është mënyra se si miqtë e mi Ramush dhe të tjerë u etiketuan në Beograd. As kancelarja, as presidenti i Francës, as ne nuk kemi avokuar heqjen e taksave, por pezullimin dhe dhënien një mundësi të re për kapitullin e ri të dialogut. Gjermania dhe Franca kanë premtuar të marrin pjesë drejtpërsëdrejti dhe të jenë më të përfshira se më parë – tha Rama.
Mes të tjerash, Rama tha se nuk fliste kurrë për të ashtuquajturën “Shqipëria e Madhe”.
“Shqipëria e Madhe është një term që është krijuar, promovuar, komentuar dhe përdoret kundër shqiptarëve nga ata që qëndrojnë në anën tjetër në llogoret e luftës gjatë gjithë historisë. Nuk ka Shqipëri të Madhe në asnjë Romanticizëm Shqiptar, as në Rilindjen, as para as pas. Ekziston një ide e qartë se ne jemi vëllezër që tani jetojnë në dy vende të ndryshme dhe se ne duhet të bashkojmë. E shoh atë bashkim si pjesë e rrugës sonë drejt BE-së dhe nëse ka diçka të madhe, është një BE e madhe”, tha Rama duke qetësuar serbët se nuk ka një plan për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.
Kryeministri i Shqipërisë thotë se është për një rajon pa kufij. “Nuk dua kufirin me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Serbinë. Duhet të punojmë për ta bërë atë të ndodhë “, tha Rama.
Rama tha se besonte që serbët dhe shqiptarët mund të bënin për Ballkanin “çfarë bëri Franca dhe Gjermania për Evropën”./Hashtag.al