Sot opozita organizon një tjetër protestë në orën 18:30, e pesta protestë kombëtare që prej 16 Shkurtit.
Partia Demokratike publikoi dje edhe promon e rradhës.
“Asgjë nuk i ndal shqiptarët që luftojnë për liri, për standartet europiane. Shpresa është ndezur! Pushteti i krimit nuk e fik dot më, sot jemi më të fortë se kurrë. Asnjë hap pas kundër krimit kundër dhunës për Shqipërinë si gjithë Europa.”, lexohet në promo, duke i drejtuar në këtë mënyrë një mesazh qytetarëve.
Vendimi për mbajtjen e të pestës protestë kombëtare, erdhi pas një mbledhje urgjente të strukturave drejtuese të PD-së dhe aleatëve, mesnatën e të shtunës.
Kujtojmë se protesta e së shtunës, u pasua nga procedimi i 84 protestuesve, ndër të cilët 50 janë të arrestuar. Ndërsa pati shumë të plagosur si nga radhët e protestuesve, ashtu edhe nga ato të forcave të rendit.
Para Kryeministrisë, protestuesit kishin nisur të hidhnin bomba Molotov dhe fishekzjarre e sende të tjera në drejtim të godinës së kryeministrisë duke i vënë flakën dyerve.
Pas mbërritjes në mes të turmës, Basha foli para qytetarëve duke lëshuar akuza të rënda në drejtim të kryeministri Rama duke deklaruar se zgjedhje me të në krye të qeverisë dhe klikën e tij kriminale nuk mund të ketë dhe nuk do ketë.
Në mes të fjalës së tij, pati një moment tensioni mes protestuesve dhe policisë dhe kjo e fundit hodhi gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve duke detyruar Bashën të ndërpriste fjalën e tij.
Basha u ngjit sërish në mes të turmës duke kërkuar moscënimin e forcave të policisë ndërsa tha se zgjedhjet e lira e të ndershme janë rruga e vetme drejt Europës.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos cënojnë efektivët e policisë duke theksuar se beteja e qytetarëve ishte me qeverisjen kriminale të Ramës.
Pas kësaj protestuesit nisën lëvizjen rreth kryeministrisë dhe më pas u nisën drejt parlamentit ku pati sërish përplasje mes policisë dhe qytetarëve. Fishekzjarreve të këtyre të fundit policia iu përgjigj me gaz lotsjellës ndërsa në një episod, u dhunua me shkopinj gome Sekretari Organizativ i PD-së, Seit Dollapi. Kur Dollapi po mundohej të vendoste maskën kundragaz për t’u mbrojtur, një numër i madh policësh e ndoqën dhe në momentin kur ai u rrëzua, e goditën disa herë me shkop gome.
Në një dalje për mediat të dielën, Basha paralajmëroi se “dhuna barbare ndaj qindra protestuesve, ndaj vajzave dhe grave, ndaj figurave politike, ndaj Sahit Dollapit që u dhunua barbarisht vetëm për të dërguar mesazh junte, mesazh mafie, mesazh krimi, për të trembur dhe shkurajuar shqiptarët, do të marrë nesër përgjigje proporcionale nga populli i bashkuar dhe i vendosur për të çuar betejën deri në fund”.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, u detyrua të pranonte se ishte gabim nga ana e policisë dhuna e ushtruar ndaj Dollapit.
Protesta u transmetua nga disa media ndërkombëtare si “Washington Post”, “RT” e “Zëri i Amerikës”./Hashtag.al