Varshava vendosi të anullojë një vizitë nga një delegacion izraelit në minutën e fundit, pasi u zbulua se Tel Avivi kishte planifikuar të ngrinte çështjen e kthimit të pronave hebreje që u konfiskuan gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Delegacioni do të mbërrinte të hënën, por udhëtimi u pezullua pasi “pala izraelite bëri ndryshime të minutës së fundit në përbërjen e delegacionit duke sugjeruar që bisedimet do të përqëndroheshin kryesisht në çështjet që lidhen me kthimin e pronës”, sipas Ministrisë së Jashtme të Polonisë.
Varshava pohon se çështja e kthimit të pronës tashmë është zgjidhur – një pikëpamje që duket se nuk ndahet nga Tel Avivi dhe Uashingtoni.
Të shtunën, mijëra njerëz dolën në rrugët e Varshavës për të protestuar kundër presionit të SHBA ndaj Polonisë për të kompensuar hebrenjtë që humbën pasuritë gjatë Holokaustit. Legjislacioni amerikan i njohur si ligji 447 ose Akti i Drejtësisë për të Mbijetuarit e Pakompensuar (JUST) kërkon që Departamenti i Shtetit të mbikëqyrë përparimin e vendeve përfshirë Poloninë në kthimin e pronave hebraike të konfiskuara gjatë Holokaustit.
Protestuesit polakë kundër legjislacionit thonë se kjo mund të shkatërrojë ekonominë e vendit.
Polonia dikur ishte shtëpia e 3.3 milion hebrenjve, një pjesë e mirë e të cilëve u vranë nga Gjermania naziste. Pronat e tyre u plaçkitën dhe u shtetëzuan më vonë nga qeveria komuniste.