Policia e Shtetit do të shtojë forcat e sigurisë për protestën e sotme përpara kryeministrisë. Sipas “BalkanËeb”, në terren do të jenë 1700 forca policie për mbarëvajtjen e protestës.
Plani nga ana tjetër duket i njëjtë, me një gardh metalik të vendosur përpara godinës së Kryeministrisë, dhe përdorimi i maskave kundragaz nga efektivët e policisë.
Kamera me rezolucion të lartë janë vendosur për të filmuar protestuesit, që mund të tregohen të dhunshëm. Forcat RENEA dhe efektivët e gardës do të monitorojnë protestën nga ndërtesat e larta.
Siguria nuk do të përqendrohet vetëm te Kryeministria, pasi një pjesë e efektivëve do të vendosen dhe te institucionet e tjera që ndodhen në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit”.
Qarkullimi në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit” pritet të ndërpritet pasdite, pak para nisjes së protestës më 18:30.
Vendimi për mbajtjen e të pestës protestë kombëtare, erdhi pas një mbledhje urgjente të strukturave drejtuese të PD-së dhe aleatëve, mesnatën e të shtunës.
Kujtojmë se protesta e së shtunës, u pasua nga procedimi i 84 protestuesve, ndër të cilët 50 janë të arrestuar. Ndërsa pati shumë të plagosur si nga radhët e protestuesve, ashtu edhe nga ato të forcave të rendit.
Para Kryeministrisë, protestuesit kishin nisur të hidhnin bomba Molotov dhe fishekzjarre e sende të tjera në drejtim të godinës së kryeministrisë duke i vënë flakën dyerve.
Pas mbërritjes në mes të turmës, Basha foli para qytetarëve duke lëshuar akuza të rënda në drejtim të kryeministri Rama duke deklaruar se zgjedhje me të në krye të qeverisë dhe klikën e tij kriminale nuk mund të ketë dhe nuk do ketë.
Në mes të fjalës së tij, pati një moment tensioni mes protestuesve dhe policisë dhe kjo e fundit hodhi gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve duke detyruar Bashën të ndërpriste fjalën e tij.
Basha u ngjit sërish në mes të turmës duke kërkuar moscënimin e forcave të policisë ndërsa tha se zgjedhjet e lira e të ndershme janë rruga e vetme drejt Europës.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos cënojnë efektivët e policisë duke theksuar se beteja e qytetarëve ishte me qeverisjen kriminale të Ramës.
Pas kësaj protestuesit nisën lëvizjen rreth kryeministrisë dhe më pas u nisën drejt parlamentit ku pati sërish përplasje mes policisë dhe qytetarëve. Fishekzjarreve të këtyre të fundit policia iu përgjigj me gaz lotsjellës ndërsa në një episod, u dhunua me shkopinj gome Sekretari Organizativ i PD-së, Seit Dollapi. Kur Dollapi po mundohej të vendoste maskën kundragaz për t’u mbrojtur, një numër i madh policësh e ndoqën dhe në momentin kur ai u rrëzua, e goditën disa herë me shkop gome.