Protesta e sotme e zhvilluar nga opozita e bashkuar ka qenë ndryshe nga herët e tjera si në organizimin ashtu edhe në dinamika.
E nisur që prej orës 18:30 te Kryeministria, protesta e sotme më shumë ishte një marshim në lëvizje nëpër disa nga institucionet kryesore për të simbolizuar edhe ato çfarë opozita i quan si degradimi i qeverisë që vjen nga shteti i kapur nga mafia.
Nga Kryeministria, protesta u zhvendos te Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ku protestuesit marshuan të shoqëruar nga shiu i rrëmbyeshëm hodhën disa shashka dhe flakadanë në drejtim të godinës.
Në këtë institucion një polic mbeti i lënduar nga shashka por nuk pati përplasje mes turmës dhe uniformave blu.
Pas Drejtorisë së Policisë, marshimi vazhdoi te Parlamenti ku u ndalën për pak çaste dhe vazhduan më tej te Ministria e Brendshme për të vazhduar te Drejtoria e Policisë së Tiranës ku thirrjet për të liruar të ndaluarit e protestës së të shtunës shoqëruan protestuesit.
Në këtë institucion pati edhe një incident të vogël, ku disa gurë të hedhur nga protestuesit thyen xhamat e godinës së drejtorisë së Policisë.
Pas drejtorisë së policisë së Tiranës, protesta u mbyll te selia blu ku Basha mbajti fjalimin përmbyllës duke deklaruar se nuk do ketë më pakt me krimin duke theksuar se nuk do ketë marrëveshje me mazhorancën si ajo e dy viteve më parë por do vazhdohet me rezistencën për të krijuar një sistem të ri.
Në këtë protestë nuk ishte e pranishme kryetarja e LSI-së e cila për shkak të agjendës nuk ndodhej në vend.
Protesta e sotme mund të thuhet se u shoqërua vetëm nga marshimi dhe risia te ndalesat në 5 institucionet kryesore të vendit./Hashtag.al