Vendosni fjalën kyçe....

Rrihet barbarisht me shkop bejsbolli gazetari që kritikonte Erdoganin


Një gazetar turk, i cili kishte kritikuar presidentin Rexhep Tajip Erdogan, u rrah nga një grup njerëzish me shkopinj bejsbolli.

Lajmi u dha nga një gazetë turke “Yenicag”, që ka publikuar fotot e kolumnistit Javuz Selim Demirag, në shtratin e spitalit.

Sipas gazetës, kolumnisti i saj Demirag është rrahur me shkopinj bejsbolli, ndërsa u sulmua nga pesë deri në gjashtë persona për shkaqe ende të panjohura.

Por theksohet se sulmi vjen në një kohë të tensioneve të larta mbi vendimin e Komisionit Suprem të Zgjedhjeve të Turqisë për të zhvlerësuar rezultatet e zgjedhjeve të kryebashkiakut në Stamboll dhe për të planifikuar një rivendosje më 23 qershor.

Menjëherë pasi u bë e qartë se ata kishin humbur zgjedhjet, partia qeverisëse AKP kërkoi që votimi të përsëritej, duke përmendur parregullsi.

Shoqata e Gazetarëve të Turqisë tha se sulmi nxjerr në pah shtypjen e lirisë së shtypit gjithnjë e më shumë.

“Politikanët që kanë vështirësi të përkrahin idenë e lirisë së mediave dhe të shprehjes dhe të kthejnë gazetat dhe gazetarët në objektiva, luajnë një rol të rëndësishëm në këto lloje sulmesh”, tha organizata në një deklaratë.

Demirag u vizitua në spital nga udhëheqësi i CHP, Kemal Kiliçdaroglu, i cili akuzoi sulmuesit se kishin “qëllim për ta vrarë”.

“Si mund të rrihet një gazetar me qëllimin për ta vrarë, vetëm për shkak se ai ka marrë pjesë në një program, ka shprehur pikëpamjet e tij ose ka kritikuar dikë?”, u tha ai  gazetarëve. “Ku do të shkojë Turqia?”

Gazeta turke shkruan se Demirag ishte në gjendje të qëndrueshme dhe do të dilte nga spitali të dielën.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *