Vendosni fjalën kyçe....

Koreja e Veriut kërkon rikthimin e anijes së konfiskuar nga SHBA


Autoritetet e Koresë Veriore kanë kërkuar të martën kthimin e anijes së konfiskuar nga Shtetet e Bashkuara për shkelje të sanksioneve ndërkombëtare. Shteti komunist ka thënë se kjo vepër ishte rast flagrant i rrëmbimit që shkel marrëveshjen e arritur vitin e kaluar mes udhëheqësve të të dyja shteteve.

Prokurorët amerikanë kanë thënë se kjo anije është përdorur për të eksportuar thëngjill dhe për të importuar makineri të rënda në kundërshtim me sanksionet e vendosura ndaj Koresë Veriore për shkak të programit të saj për armët bërthamore. Anija ishte konfiskuar në ujërat e Indonezisë në prill të vitit të kaluar dhe më pas u dërgua në Samoan Amerikane.

“Veprimi i Shteteve të Bashkuara është vazhdimësi e llogaritjeve të tyre për të mbizotëruar ndaj nesh me të ashtuquajturin presion maksimal. Ata duhet ta kthejnë anijen tonë menjëherë”, thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme koreane.

Koreja Veriore po përpiqet t’i largojë sanksionet e vendosura nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara më 2016 dhe 2017. Ndryshe nga sanksionet e kaluara, të cilat i shenjtëronin udhëheqësit në pushtet, këto ndëshkime u futën në fuqi për ta goditur ekonominë e këtij shteti.

Lideri i Koresë Veriore, Kim Jong-un ka thënë se do ta braktisë angazhimin diplomatik me Shtetet e Bashkuara dhe se do ta gjejë një rrugë të re për t’i mbrojtur interesat kombëtare të vendit të tij, nëse Shtetet e Bashkuara nuk e ndryshojnë qëndrimin, shkruan “New York Times”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *