Vendosni fjalën kyçe....

Rastësi? Shortet e kryegjyqtares Enkelejdi Hajro favorizojnë Vjollca-Blushin


Gjykata e Tiranës ka numrin më të madh të gjyqtarëve në vend, rreth 80 të tillë. E megjithatë, në çështjet ku janë palë drejtuesit e televizionit Top Channel, Vjollca Hoxha dhe Ben Blushi, shortet e zhvilluara nga kryetarja e gjykatës, Enkelejdi Hajro, në mënyrë “të çuditshme”, përzgjedhin të njëjtët gjyqtarë.

Dhe, thuajse në çdo rast, gjyqtarët e zgjedhur “me short” kanë dhënë vendime në favor të dyshes Vjollca-Blushi.

“Boldnews.al” ka marrë në shqyrtim tre raste, ku palë të përfshira në proces gjykimi janë administratorja e televizionit, Hoxha, si edhe Ben Blushi, drejtor i Përgjithshëm i TCH, por në cilësinë e kryetarit të partisë “Libra”.

Çështjet e tyre janë shqyrtuar nga i njëjti grup i vogël gjyqtarësh, duke krijuar dyshime se shorti i zhvilluar nga Hajro nuk është aq “rastësor”.

Rasti “New Vision vs Top Channel”

“New Vision” është një kompani që ka kryer shërbime për ngritjen dhe arredimin e skenave kryesore të televizionit Top Channel. Në fillim të vitit 2018, televizioni i kishte kompanisë “New Vision” rreth 500 mijë USD të palikujduara.

Subjekti “New Vision” ngre padi në gjykatën e Tiranës për likujdimin e faturave të papaguara. Gjykata i jep të drejtë dhe lëshon urdhërin e ekzekutimit. Top Channel, e administruar nga Vjollca Hoxha, kërkon në gjykatë pezullimin e zbatimit të urdhërit të ekzekutimit.

Shorti për padië e Vjollca Hoxhës për “pezullim detyrimi” përzgjedh gjyqtaren Teuta Hoxha. New Vision kërkon përjashtimin e gjyqtares, për shkak se ajo po gjykon një tjetër proces, ku palë është Top Channel.

Gjyqtarja Teuta Hoxha jep dorëheqjen dhe “shorti” përzgjedh Ervin Pollozhanin. “New Vision” dorëzon sërish një kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit. Kërkesa shqyrtohet nga kryetarja e gjykatës, Enkelejdi Hajro dhe rrëzohet brenda ditës. Seanca e radhës lihet pas dy ditësh. Gjyqtari Ervin Pollozhani vendos në favor të Vjollca Hoxhës dhe më pas jep dorëheqjen, e cila i ishte refuzuar më parë nga kryetarja e gjykatës.

Ndërkohë, ky rast vijon gjykimin në themel nga gjyqtarja Marjana Shegani. E njëjta gjyqtare përzgjidhet “me short” për gjykimin e një tjetër padie të subjektit “New Vision” kundër Top Channel. Gjyqtarja Shegani jep dorëheqjen nga gjykimi i rastit të dytë dhe shorti përzgjedh gjyqtarin Julian Haxhiu.

Të dy proceset “New Vision vs Top Channel”, si ai që po drejtohet nga Marjana Shegani, ashtu edhe ai që po drejtohet nga Julian Haxhiu, vijojnë gjykimin.

Pra, në rastin “New Vision kundër Top Channel”, gjyqtarët e përzgjedhur me “short” ishin Teuta Hoxha, Ervin Pollozhani, Marjana Shegani dhe Julian Hoxha. Të njëjtët emra gjyqtarësh do të shihen edhe në dy rastet e mëposhtme.

Procesi për pronësinë e Top Channel

Në janar 2016, Vjollca Hoxha, mbajtëse e 40% të aksioneve të Top Channel, ngre padi për pronësinë e televizionit ndaj dy aksionerëve të shumicës, Aurel Baçi dhe Albert Sino.

Shorti i gjykatës së Tiranës përzgjedh gjyqtarin Ervin Pollozhani, i cili jep dorëheqjen. Shorti i radhës përzgjedh gjyqtaren Teuta Hoxha, e cila cakton seancën pas vetëm 3 ditësh. Me dyshimet për një procedurë të paracaktuar, të paditurit Baçi e Sino kërkojnë përjashtimin e gjyqtares Hoxha.

Pa u marrë ende në shqyrtim kërkesa për përjashtim, gjyqtarja Teuta Hoxha zhvillon 3 seanca rresht, ku, në mungesë të paditurve, merr vendim kundër tyre.

E gjithë “skema” për favorizimin e Top Channel është zhvilluar në 5 Shkurt 2016.

Në orën 08:45 të mëngjesit të kësaj dite, gjykata nis shqyrtimin e kërkesës së Vjollca Hoxhës për bllokimin e mbledhjes së aksionerëve që ishte kërkuar brenda afateve ligjore me qëllim vlerësimin e punës së administratores së Top Channel.

Në orën 10 të po asaj dite, gjyqtari Flamur Kapllani merr në shqyrtim kërkesën e palës së paditur për përjashtimin e gjyqtares Teuta Hoxha. Edhe pse kërkuesit nuk ishin njoftuar, në mungesë të tyre gjyqtari Kapllani vendosi të mos përjashtojë gjyqtaren Hoxha, e cila po atë ditë bën çudinë.

Pa asnjë njoftim, në orën 10:45, gjyqtarja Teuta Hoxha merr vendimin për sigurimin e padisë duke caktuar si masë sigurimi bllokimin e çdo të drejte që rrjedh nga aksionet për dy aksionerët Albert Sino dhe Aurel Baçi. Pra me këtë vendim, gjykata ndaloi aksionerët kryesorë të marrin vendime në shoqëri, edhe pse të dy ata zotërojnë 60 përqind të aksioneve.

Çështja “Vjollca Hoxha kundër Baçi&Sino” vijon të jetë në dyert e gjykatave, pa marrë ende një vendim përfundimtar.

Rasti “Ben Blushi/LIBRA”

Një grup anëtarësh të Partisë “LIBRA”, të themeluar nga Ben Blushi, kanë vendosur që ta shkarkojnë atë nga funksionet drejtuese në Korrik 2018.

Blushi, i cili është njëkohësisht edhe drejtor i përgjithshëm i televizionit Top Channel, kundërshton në gjykatë vendimin e Forumit të Subjektit Politik Lista e Barabartë “LIBRA” të datës 22 Korrik 2018.

Padia e Blushit i drejtohet gjykatës së Tiranës dhe shorti i zhvilluar nga kryetarja Enkelejdi Hajro përzgjedh si gjyqtar Julian Haxhiu. Ky i fundit, në datën 22 Janar 2019 vendos të shpallë të pavlefshëm proces-verbalin e Forumit të “LIBRA-s” dhe rikthimin në gjendjen e mëparshme përsa iu përket Statutit dhe Kryetarit të partisë ‘LIBRA”.

Në këtë mënyrë, gjyqtari Haxhiu rrëzoi vendimin e Forumit, duke e rikonfirmuar Ben Blushin si kryetar të subjektit politik “LIBRA”.

Një grup anëtarësh të partisë “LIBRA” kanë depozituar një tjetër padi kundër Ben Blushit në gjykatën e Tiranës. Shorti për këtë padi të dytë përzgjedh gjyqtaren Marjana Shegani, e cila, në 15 Shkurt 2019 vendos pushimin e çështjes, duke favorizuar sërish Ben Blushin.

Ndërkohë, po nga Partia “LIBRA” është regjistruar në Prill 2019 një kërkesë për gjykim, të cilën po e gjykon gjyqtari Ervin Pollozhani.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BoldNews.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *