Hakerët kanë instaluar nga distanca një softuer të mbikëqyrjes në telefona dhe pajisje të tjera që përdornin aplikacionin e mesazheve “WhatsApp”.
“WhatsApp”, i cili është në pronësi të rrjetit social “Facebook”, tha se sulmi ka shënjestruar një “numër të zgjedhur” të përdoruesve dhe se është orkestruar nga “një aktor i avancuar kibernetik”.
“BBC” shkruan se të hënën, “WhatsApp” u bëri thirrje 1.5 miliardë përdoruesve që të përditësojnë aplikacionet e tyre si një masë paraprake shtesë.
Sipas një raporti në gazetën “Financial Times”, sulmi u zhvillua nga firma izraelite e sigurisë NSO Group.
Sulmi u zbulua për herë të parë në fillim të këtij muaji.
“Sulmi i ka të gjitha shenjat dalluese të një kompanie private, që thuhet se punon me qeveritë”, tha kompania e WhatsApp.
Grupi NSO është një kompani izraelite që është përmendur në të kaluarën si një “tregtar i armëve kibernetike”.
Ky grup tha përmes një deklarate se “teknologjia e NSO-së është e licencuar për agjencitë qeveritare, për qëllimin e vetëm të luftimit të krimit dhe terrorit”.
“WhatsApp” tha se ishte ende shumë herët për të përcaktuar se sa përdorues janë prekur.